Berisha këmbëngul: Vendimi i përjashtimit është nul. Nuk krahasohem me humbësin, kombinacionet Basha-Rama kanë marrë fund

31/03/2022 10:07

Në përfundim të takimit në selinë blu, ish-kryeministri Sali Berisha theksoi se do të jetë pjesë e grupit parlamentar i PD-së. Ish lideri i PD nuk e njeh vendimin për përjashtimin të cilin e cilëson si “nul”. Ndër të tjera tha se nuk mund të krahasohet me humbësin si dhe thekson se me dorëheqjen e kryetarit, marrin fund edhe kombinacionet Basha-Rama.

Berisha: Vazhdojmë me një realitet që nuk ekziston. Ajo që pretendon Alibeaj nuk ekziston, janë nul. Të krahasosh fituesin me humbësin, është një gabim i madh. Mbledhje grupi do të ketë patjetër. Grupi është organ legjislativ i PD. Unë mendoj se është rast unik që PD të bashkohet dhe në diversitetin e saj. Cilido që mendon bën zgjidhjen e tij, por demokratët kanë folur për këtë më 11 dhjetor, me 6 mars.

PD do të jetë i plotë në parlament?

Berisha: Kombinacionet Basha-Rama marrin fund se janë antiligjore. Ajo kohë merr fund. Ai kombinim ka marrë fund. Unë zgjodha anëtarësinë e partisë se po të kishte bazë do shkoja tek gjykata. I dhanë Bravës, më falni Lul Bashës, shkarkimin që meritoi. Sot nuk është këtu, Lul Basha dha dorëheqjen. Forumet janë të Kuvendit, janë Këshilli Kombëtar, i cili nuk ekziston tani se do të mblidhet kuvendi, do të zgjidhet Këshilli Kombëtar.

Keni paralajmëruar se e njihni grupin parlamentar?

Berisha: Se njoh grupin unë, nuk do të thotë se Enkelejdi është grupi. Ai mund të qëndrojë kryetar, nuk kam ndonjë kundërshtim.

Me çfarë po bëhen rregullimet në PD?

Berisha: Nuk kam asnjë dijeni por absolutisht do të bëhet transparenca. Partia ka financa por sesi është gjendja e arkës nuk kam ide.

Cila do të jetë zyra juaj?

Berisha: Nuk ka rëndësi, do të jetë një zyrë mes tyre. Tani për tani nuk ka zyrë kryetari.
Po takoj çdo ditë deputetë dhe kryetarë degësh me të cilët po arrijmë në mirëkuptime për vazhdimin e procesit për probleme të caktuara.

Si e konceptoni faktin që nuk mori pjesë Basha?

Berisha: Pyeteni Bashën. Ai është anëtar i grupit parlamentar, ne nuk përjashtojmë.

Top Channel