Qeveria edhe këtë vit plotësoi një tjetër detyrim ligjor, indeksimin e pensioneve.
Për shkak të rritjes së normave të interesit dhe zhvlerësimit të lekut, qeveria vendosi që mos t’i indeksojë me normën e vjetshme te inflacionit siç e kërkon ligji, por me normën aktuale te tij. Për ministren e financave, kjo është një ndihmë goxha e madhe për pensionistet:
“Të gjitha kategoritë e pensioneve indeksohen me 3.3%. Efekti në buxhet do të jetë 3.3 mld lekë. Parashikimi fillestar ishte për vlerën e përafërt me 2.4%, që në bazë të ligjit duhej bërë kjo. Për shkak të çmimeve për shportën e pensionistëve ne vendosëm mesataren e tre-mujorit të shkurtit.”
Por shtesa nuk është për të gjithë. Qeveria, në fillim të këtij viti mori vendim për 576 mijë pensionistë, që marrin më pak se 15 000 lekë, tu bëhet një pagesë shtesë prej 3 000 lekë për të përballuar rritjen e çmimeve. Gati 100 mijë pensioniste të tjerë, sipas qeverisë janë të pasur mjaftueshëm ta përballojnë vetë këtë krizë botërore çmimesh.
“Sipas llogarive, është 2500 lekë shtesa e shpenzimeve për një familje mesatare si rezultat i produkteve të shportës. Ne kemi menduar të japim 3000 lekë për 576 mijë persona për 3 muaj, kjo i shtohet të tjerave element të paketës siç janë mbështetja për karburantin për transportin, për rritjen e çmimeve të karburanteve për fermerët dhe mbështetja që mban zërin kryesor për energjinë elektrike.”
Por sipas përllogaritjeve, shtesa mesatare e parave në total për pensionistët shkon nga 200 deri në 1000 lekë. Ato do të merren tek kësti i radhës, në prill. Sipas Kombeve të Bashkuara që një person të mos konsiderohet i varfër, duhet të shpenzojë 5.5 dollarë në ditë. Në rastin më të mirë, me shtesën e pensioneve për tre muajt e ardhshëm, një pensionist shqiptar mund të konsiderohet jo i varfër vetëm një ditë në muaj.
Ndërkohë efekti i shtesës në buxhetin e shtetit është vetëm 25 milion dollarë. Ose cmimi i ndërtimit të një kilometri rrugë në Unazën e Madhe të Tiranës.
Top Channel