Shenja shtensionimi pas negociatave të Stambollit

30/03/2022 08:15

Shenja shtensionimi pas negociatave të Stambollit. Amnesty International akuzon Rusinë për krime lufte në Ukrainë. Situatë “shumë e tensionuar” sipas Zelenskit pavarësisht sukseseve.

Sipas ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, Moska do t’i reduktojë në mënyrë të dukshme “aktivitetet e saj ushtarake”në Ukrainë në afërsi të Kievit dhe të Çernihivit. Kjo u vendos përballë mënyrën si ecën negociatat me Ukrainën, bëri të ditur zëvendësministri i Mbrojtjes i Rusisë, Alexander Fomin, pas bisedimeve në Stamboll. Atje u takuan për negociata paqeje delegacionet nga Moska dhe Kievi. Kjo ishte deklarata e parë për një tërheqje të këtij lloji nga pala ruse.

Ukraina ofron neutralitet

Në këmbim të garancive të sigurisë, Ukraina ofroi neutralitetin. Me këtë, Ukraina nuk do të anëtarësohej në asnjë aleancë ushtarake, thanë negociatorët pas negociatave në Stamboll. Veç kësaj, në Ukrainë nuk do të ketë baza ushtarake. Përpara se të hyjë në fuqi një marrëveshje përfundimtare, në të gjithë territorin e Ukrainës duhet të ketë sërish paqe dhe të vendoset për një referendum për kushtet e një marrëveshjeje me Rusinë. Si garante për respektimin e sigurisë mund të shërbenin Turqia, Izraeli, Polonia dhe Kanadaja.

Për herë të parë në pothuajse tre javë, Ukraina dhe Rusia folën drejtpërdrejt me njëra-tjetrën në Stamboll. Sipas ambasadës së Ukrainës në Turqi, diskutimet zgjatën rreth katër orë, me ndërprerje të herëpashershme.

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan i mirëpriti negociatorët në zyrën presidenciale të Dolmabahçes në Stamboll. Përfundimi i “tragjedisë” është në duart e të dyja palëve, tha Erdogani. Nga një armëpushim i menjëhershëm do të përfitonin të gjithë.

Mediat ruse kanë publikuar foto në të cilat shihet se në pritje ishte i pranishëm edhe miliarderi Roman Abramoviç. Biznesmeni është në mesin e oligarkëve rusë që janë sanksionuar nga Perëndimi për shkak të afërsisë së tyre me presidentin Vladimir Putin. Moska kishte konfirmuar pak ditë më parë se Abramoviçi kishte marrë pjesë në fillim të marsit në negociatat midis Ukrainës dhe Rusisë si ndërmjetës.

Ukraina i kishte kërkuar Abramoviçit që të ndihmonte për ndërmjetësim kur filloi pushtimi rus. Të hënën, “Wall Street Journal” raportoi se Abramoviçi dhe negociatorët ukrainas patën simptoma të mundshme helmimi pas bisedimeve të ndërmjetësimit në Kiev. Megjithatë, përfaqësues të qeverisë së SHBA dhe të Ukrainës shprehin dyshime për këtë.

Raundet e mëparshme të negociatave kanë qenë jashtëzakonisht të vështira

Sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski, “garancitë e sigurisë dhe neutraliteti” si dhe statusi i Ukrainës si “shtet pa armë bërthamore” janë ndër temat kryesore. Neutraliteti i Ukrainës është një nga kërkesat kryesore të Rusisë. Zelenski tha të dielën se qeveria e tij do ta shqyrtojë çështjen “në mënyrë rrënjësore”. Negociatat e para në nivel ministror më 10 mars në Antalia të Turqisë nuk sollën përparim të ndjeshëm drejt armëpushimit në Ukrainë. Që atëherë, diskutimet  vazhduan përmes videokonferencave. Të dyja palët në konflikt i cilësuan negociatet së fundmi si “të vështira”.

Kombet e Bashkuara synojnë një armëpushim humanitar

Kombet e Bashkuara duan të angazhohen për një armëpushim humanitar. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres tha se ai i kishte kërkuar Koordinatorit të Ndihmës Emergjente, Martin Griffiths “të diskutonte menjëherë me palët në fjalë marrëveshjet dhe aranzhimet e mundshme për një armëpushim humanitar në Ukrainë”. Sekretari i Përgjithshëm dënoi sërish luftën e agresionit rus kundër vendit fqinj. Kjo ka çuar në “humbjen e pakuptimtë të mijëra jetëve njerëzore, zhvendosjen e dhjetëra miliona njerëzve dhe shkatërrimin sistematik të infrastrukturës thelbësore” në Ukrainë, deklaroi Antonio Guterres. “Kjo duhet të ndalet”.

Që nga pushtimi rus i Ukrainës, sipas presidentit ukrainas Zelenski janë vrarë në luftë 20.000 vetë.  Sipas të dhënave të OKB-së, rreth 3.9 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina. Sipas këtyre shifrave, 6.5 milionë persona të tjerë janë në arrati brenda vendit. Qeveria e Kievit është veçanërisht e shqetësuar për situatën në Mariupol, në jug të vendit. Sipas të dhënave të Ukrainës, në këtë qytet të rrethuar nga trupat ruse janë vrarë të paktën 5000 vetë. Situata humanitare cilësohet si “katastrofike”.

Amnesty akuzon Rusinë për krime lufte

Organizata e të drejtave të njeriut Amnesty International (AI) ka denoncuar “krimet e luftës” në Ukrainë. “Ajo që po ndodh në Ukrainë është një përsëritje e asaj që kemi parë në Siri,” tha Sekretari i Përgjithshëm Agnès Callamard gjatë prezantimit të raportit vjetor të organizatës. Rusia po sulmon “qëllimisht” instalimet civile dhe po i kthen rrugët e arratisjes në “kurthe vdekjeje”.

Drejtoresha e Evropës Lindore Marie Struthers tha se përfaqësuesit e Amnesty-së kishin dokumentuar gjatë një vizite në terren në Ukrainë “përdorimin e të njëjtave taktika si në Siri dhe Çeçeni”. Sipas tyre, Rusia përdorte edhe armë të ndaluara nga ligji ndërkombëtar. Callamard e krahasoi qytetin e rrethuar të Mariupolit me qytetin sirian të Alepos. Ai ishte shkatërruar plotësisht nga presidenti sirian Bashar al-Assad me ndihmën e Forcave Ajrore Ruse. Amnesty vëren një “shtim të krimeve të luftës” në Ukrainë.

Zelenski: Situata ushtarake mbetet e tensionuar

Pavarësisht disa sukseseve ushtarake, presidenti ukrainas beson se situata në vendin e tij mbetet e tensionuar. Kështu u shpreh ai në videomesazhin e tij të çdo mbrëmjeje, të publikuar në Telegram. Mbrojtësit ukrainas padyshim kanë qenë në gjendje të zmbrapsnin njësitë ruse nga qyteti Irpin pranë Kievit, tha ai. Megjithatë, në këtë rajon si dhe në pjesë të tjera të vendit luftimet kanë vazhduar. Trupat ruse kanë ruajtur kontrollin në pjesën veriore të Kievit. Ata qenë përpjekur të rindërtonin njësitë e çmontuara. Situata mbetet gjithashtu “shumë e vështirë” në rajonet e Çernihiv, Sumy, Kharkiv, Donbass dhe në jug të Ukrainës.

Zelenski bëri thirrje sërish për sanksione më të ashpra kundër Rusisë. Lidhur me një embargo ndaj furnizimeve ruse të naftës që po diskutohet në Evropë, ai tha se tani ka shumë të dhëna se një shtrëngim i tillë i sanksioneve kundër Rusisë do të ndodhte vetëm nëse Moska do të përdorte armë kimike. “Nuk ka fjalë për këtë,” tha Zelenski. “Mendoni për atë që po ndodh: në pritje për armë kimike.” Ai më tej pyeti nëse Rusia nuk e meritonte tashmë një embargo të tillë me gjithçka që ka bërë deri tani./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA