I shumkërkuari Nuredin Dumani është arrestuar në Fier këtë mbrëmje gjatë operacionit të zhvilluar nga RENEA.

Mësohet se Dumani ka qenë i përfshirë në ngjarjet e pasdites në Elbasan, ku u krye atentat ndaj Talo Çelës, një prej emrave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare.

Makina tip “BMW” me targa të vjedhura në Durrës në prill të vitit 2021 po udhëtonte në aksin rrugor Elbasan-Peqin kur u bë shënjestër e atentatit me armë rreth orës 17:35. Personat që kanë qenë në mjet, mes tyre edhe Talo Çela kanë braktisur BMW-në dhe janë larguar.

Dumani është plagosur në shpatull gjatë përplasjes në Elbasan. Ai mori ndihmën e parë në spitalin e Fierit dhe aktualisht po transportohet drejt Tiranës nën masa të rrepta sigurie.

Dy furgona të RENEA-s janë larguar së bashku me autoambulancën e Dumanit.

Talo Çela dhe Nuredin Dumani

Policia mori informacion se Dumani pas atentatit në Elbasan është larguar për në qytetin e Fierit dhe po fshihej në një bllok pallatesh në lagjen “Apollonia”.

Sipas informacioneve të siguruara, Dumani ka qenë i armatosur në momentin e arrestimit nga forcat speciale “RENEA”.

Ndërkohë forca të shumta policie bllokuan një segment rrugor të lagjes “15 tetori” dhe “Apollonia” në Fier, ndërsa operacioni vijon.

Në spitalin e  Fierit zbarkuan krerët më të lartë të policisë.

Kush është Nuredin Dumani?

37-vjeçari është emër i njohur në botën e krimit. Ai është autor i dyshuar për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës, kjo pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Klevis Alla i cili tha se vëllezërit u vranë pasi akuzoheshin se nuk i kishin kthyer një shumë të konsiderueshme parash që kishin lënë në servisin e tyre.

Dumani mësohet se ka lidhje shoqërore me Klevis Kapllanin, i ekzekutuar me 14 plumba më 15 shtator. Ai akuzohet edhe si organizator i vrasjes së Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit, në 2 mars të vitit 2020.

Për vrasjen e katër të rinjve në Durrës, Dumani ka bashkëpunuar së bashku me Talo Çelën, ndërsa sot ai akuzohet për vrasjen e vëllait të tij, Bujar Çela.

Gjithashtu Dumani ka qenë i lidhur me një rrjet prostitucioni që doli në dritë pas denoncimit të një vajze nga Durrësi të trafikuar në Francë. Sipas dëshmisë së saj, Dumani ishte tutori që i mashtronte vajzat duke u propozuar për martesë dhe në rast refuzimi i kërcënonte se do t’u vriste familjarët.

Në tetor të vitit të kaluar, Gjykata e Posaçme kaloi për gjykim dosjen ndaj grupit të Talo Çelës, të akuzuar për dy ngjarje kriminale me 4 viktima.

Në gjykim  kaloi dosja për Besian Xhixhan, Enver Divan, Altin Ndocin dhe për bashkëpunëtorin e drejtësisë, Klevis Allën.

Kurse për të pandehurit Talo Çela dhe Nuredin Dumani gjykata pezulloi me një vit çështjen, për shkak se ata ende nuk ishin arrestuar.

Të pandehurit akuzohen për vrasjen e vëllezërve Viktor e Besmir Haxhia dhe Dorian Shkoza e Anxhelo Avdia.

Talo Çela është i akuzuar për 5 vepra penale, mes tyre, për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, në dëm të viktimave Dorian Shkoza, Anxhelo Avdia, Besmir Haxhia e Viktor Haxhia.

Gjithashtu Çela, i cili është në arrati, akuzohet edhe për tentativën e vrasjes me paramendim ndaj Irfan Hazizit.

Pas atentatit të dy vëllezërve Haxhia, prokuroria bashkoi dy dosjet, të Haxhiajve dhe të dy të rinjve qe u ekzekutuan në 2 mars të vitit 2020, pasi vëllezërit Haxhia kishin njohje dhe marrëdhënie miqësore me dy viktimat, Shkoza dhe Avdia.

Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia u ekzekutuan në pak se një km nga vendi ku u ekzekutuan vëllezërit Haxhia, me të njëjtën mënyrë.

Vëllezërit Viktor dhe Besmir Haxhia

Si ndodhën katër vrasjet?

Besian Xhixha, një 30 vjeçar me profesion berber dhe Enver Diva, u paguan paradhënie pesë mijë euro nga Dumani, për të vrarë Besmir Haxhinë pasi “ai kishte nisur të fliste shumë”.

Por teksa njeri prej tyre u prek nga Covidi, dhe për ketë arsye telefonoi Dumanin duke e njoftuar se plani anulohej, grupi u mblodh dhe vendosi ta kryente krimin vetë, ku gjatë të shtënave pa dashje u vra edhe vëllai i Besmir Haxhisë, Viktor Haxhia.

Vrasja e dy vëllezërve u krye më pas nga Altin Doci dhe Klevis Alla me rol ndihmës për autorët, të cilët morën urdhra nga Dumani dhe Talo Çela, pasi Besmir Haxhia po fliste shumë sipas tyre dhe i kishte hyrë vetja ne qejf.

E ndërsa Nuredin Dumani është nën hetim për një seri ngjarjesh ku përfshihet edhe vrasja e Anxhelo Advisë dhe Dorian Shkozës, ndaj ish mikut të tij Talo Çela, edhe ai i kërkuar, rëndon dhe një episod shtesë siç është tentativë për të vrarë biznesmenin Irfan Hazizi.

Të gjithë të dyshuarit e mësipërm do të jenë në të njëjtën dosje, që vijon të mbetet e vështirë të deklarohen me prova motivet e vrasjeve, edhe pse protagonisti kryesor Talo Çela vijon të shfaqet nëpër ngjarje fill pas grabitjes disa milionë euroshe në pistën e Rinasit.

Edhe për ketë grabitje, ku gjatë largimit mbeti i vrarë Admir Murataj, Talos iu ngrit akuzë në mungesë të tij.

 

FOTO GALERI
2/23

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA