Kuvendi anuloi mbledhjen e paralajmëruar për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për arrestimin e deputetit Alqi Bllako, pasi ky i fundit hoqi dorë nga mandati i deputetit.

Deputeti Bllako depozitoi në Kuvend deklaratën për heqjen dore  nga mandati i deputetit me vullnet të lirë  dhe  për rrjedhojë Kuvendi nuk mund të vazhdojë procedurat për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar  për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit Alqi Bllako.

Njoftim për media

Të nderuar kolegë, Në mbështetje të Urdhërit nr. 24, datë 30.03.2022,  të Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla “Për anullimin e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin”, mbledhja e Këshillit nuk do të zhvillohet. Deputeti Alqi Bllako ka depozituar në Kuvend deklaratën për heqjen dore  nga madadti i deputetit me vullnet të lirë  dhe  për rrjedhojë Kuvendi nuk mund të vazhdojë procedurat për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar  për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit Alqi Bllako. Faleminderit!

Pasi SPAK kërkoi arrestimin e deputetit socialist Alqi Bllako për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre në lidhje me inceneratorin në Fier, ai lajmëroi një natë më parë se hoqi dorë nga mandati i deputetit.

Ai njoftoi heqjen dorë nga imuniteti që i jep mandati i deputetit, për t’u përballur me drejtësinë si qytetar i thjeshtë.

Prokuroria e Posaçme vuri nën akuzë 11 zyrtarë dhe ish zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit e bashkisë së lbasanit, një biznesmen dhe dy administratorë të incerenatorit në Fier.

Hetimi për këtë nisi pas kallëzimit penal të Partisë Demokratike, LSI dhe Nismës Thurje dhe në qendër të hetimit ishte kontrata koncesionare mes ministrisë së mjedisit dhe kompanisë “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier”. Hetuesit thonë se kanë gjetur veprime të kundërligjshme dhe korrupsion.

Në procedurën e shpronësimit të pronës ku do të ndërtohej Inceneratori i Fierit me sipërfaqe 111 564 m2 ka rezultuar se Kryetari i Komisionit të Shpronësimit, Pëllumb Abeshi, në bashkëpunim me Ish Ministrin Lefter Koka dhe Ish Sekretarin e Përgjithshëm të Mjedisit Alqi Bllako, kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar, duke paraqitur dhe propozuar pranë qeverisë projektvendimin dhe relacionin për shpronësim e pronës “tokë truall”, ndërkohë që rezulton se prona është “tokë arë”.

Dëmi i shkaktuar është 16 288.344 lekë. Por akuza tjetër e rëndë lidhet me pranimin e faturave fiktive për procesin e ndërtimit të inceneratorit. Mes kompanisë që ka përfituar koncesionin dhe asaj që ka bërë ndërtimin janë pranuar fatura tatimore shitjeje dhe janë paguar detyrimet financiare për disa shoqëri të tjera, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer.

Shuma e dëmit është 146 milionë lekë. Sipas SPAK këto para i janë dhënë më pas ministrit të mjedisit Lefter Koka, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” sh.p.k., në zhvillimin e procedurës së dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës së koncensionit. Ndërkohë Klodian Zoto në cilësinë e aksionerit Arenc Myrtezani në cilësinë e administratorit të “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” sh.p.k., kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave dhe korrupsion.

Lefter Koka ka marrë para nga inceneratori në mënyrë të tërthortë, duke përdorur disa shoqëri të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij dhe prej familjarëve. Ndërkohë deputeti Alqi Bllako ka marrë nga koncesionari një pagesë prej gati 15 milionë lekë. Për të gjitha këto fakte është dhënë arrest me burg për Lefter Kokën, tashmë i arrestuar, Pëllumb Abeshin, Azem Shatërin, Erjon Myrtajn, Sabina Senamerin, Etleva Kondin, të gjithë këta zyrtarë të ministrisë së mjedisit. Arrest me burg për Fjoran Mucajn dhe Arenc Myrtezanin, administrator të inceneratorit të Fierit si dhe biznesmenit Klodian Zoto, tashmë në kërkim. SPAK ka kërkuar arrest në shtëpi edhe për dy zyrtarë të bashkisë së Elbasanit Bardhul Çabiri dhe Serafin Papa.

Ndërkohë janë sekuestruar edhe prona me vlerë prej 2 milionë euro. Sekuestro e parë është vendosur ndaj inceneratorit të fierit dhe kompanive të lidhura me të. Janë vënë në sekuestro edhe katërt pasuri të paluajtshme të Lefter Kokës me një sipërfaqe prej 3 344 m2 ose me vlere 146 milionë lekë.

Është sekuestruar edhe një apartament me vlerë 144 mijë euro në llogari të Alqi Bllakos, aq sa është edhe shuma e përfituar padrejtësisht prej tij. Bashkë me hetimin që vijon në Elbasan janë sekuestruar edhe 14 apartamente, tre njësi tregtare, truall dhe 8 shoqëri tregtare dhe gjithë asetet e tyre.

Këto pasuri sipas SPAK dyshohet se janë produkt të veprave penale, ndërsa shoqëritë tregtare të sekuestruara dyshohet se kanë shërbyer dhe janë përdorur si mjete për të realizuar veprat penale. Vlera e pasurive të paluajtshme të sekuestruara është rreth 2,000,000 Euro.

Top Channel