Ndërsa SPAK prangoste të akuzuarin e fundit për korrupsion me inceneratorin e Fierit, kryeministri Edi Rama dhe zëvendësi i tij Arben Ahmetaj, u shfaqën në dukje të pa shqetësuar në Kavajë.

Duke përuruar shtëpi në një sinjal publik se për ta, e marta ishte një ditë “business as usual”. Por pas pak u vërtetua se nuk ishte ashtu. SPAK kërkoi një deputet socialist ta vendoste pas hekurave të burgut. Si bashkëpunëtor i Lefter Kokës!

Lefter Koka, ish-ministër i Mjedisit, dhjetorin e vitit të shkuar provoi ftohtësinë e prangave të SPAK me akuzat për korrupsion, shpërdorim detyre dhe pastrim parash për inceneratorin e Elbasanit. Paraditen e kësaj të marte, SPAK kërkon që Kokës t’i bashkohet në qeli edhe Alqi Bllako, ish-bashkëpunëtor i ngushtë i Lefter Kokës, i cili për katër vite ka mbajtur detyrën e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit. Të qenurit deputet e ka penguar për momentin, arrestimin e menjëhershëm të Alqi Bllakos por me firmën e prokurorit Dritan Premçi i kërkohet kuvendit zhveshja nga imuniteti deputetit.

Në kërkesën e SPAK drejtuar Lindita Nikollës kryetare e kuvendit, renditen të gjitha korrespondencat e Ministrisë se Mjedisit dhe veprimet e Alqi Bllakos,  si sekretar i përgjithshëm,  në krijimin e kushteve për ndërtimin dhe operimin e inceneratorit të Fierit.

Por socialistët, ndryshe nga rasti Tahiri, duket se nuk do të humbasin kohë.

Kryetarja e kuvendit Lindita Nikolla mbledh  pasditen e të mërkurës ora 18:00, Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

Heqja e imuniteti parlamentar që i hap rrugë arrestimit, duket e paevitueshme.

Kreu grupit parlamentar socialist Taulant Balla, i tregoi vijën e kuqe duke lënë të kuptohet se Bllako tashmë i ka të mbyllura llogaritë me të tijët.

Ai prej sot  është  i vetëm në përpalljen me drejtësinë.

“PS nuk është zyrë avokatie… hapni arkivat dhe shikoni si PS ka vepruar në raste të ngjashme”, tha Taulant Balla.

Rasti jo më i ngjashëm, por i fundit, është ai i Saimir Tahirit. Maxhoranca megjithëse tha se nuk do ta mbronte atë, i rezistoi prokurorëve për disa ditë. Në fund ishte vetë Tahiri, i cili dorëzoi edhe mandatin e deputetit, duke u vetëzhveshur nga çdo mbrojtje përballe drejtësisë. Por deri tani, nuk duket të jetë ky rasti i Alqi Bllakos. Ai edhe gjate Komisionit Hetimor dha sinjale se do të mbronte të vërtetën e tij. Kështu me heqjen e imunitetit të Alqi Bllakos, shumica socialiste e Edi Ramës mbetet me një deputet më pak, pasi Bllako sipas nenit 71 të kushtetutës, e humb mandatin e deputetit vetëm nëse dënohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Një proces i ngjashëm, ai i Saimir  Tahirit, pas  disa shkallëve në gjykata, shkoi katër vjet.

Alqi Bllako i ngjiti shpejt shkallët e karriges politike. Nga një punonjës i ministrisë së Lefter Kokës, ai u katapultua direkt në Presidencë, ku bashkëpunoi ngushte me Ilir Metën, si sekretar i përgjithshëm i tij. Por befas ai largohet nga Presidenca në nëntor 2018 , në kulm të prishjes së marrëdhënieve të saj me qeverinë, duke u emëruar si drejtues i ndërmarrjes kombëtare të ujit. Më pas vjen fitorja e mandatit për deputet në 25 prill. Por emri i tij kishte dy vjet qe përflitej publikisht dhe në tavolina politike, si i përfshirë në aferën e inceneratorëve.

Fakti qe ai po hetohej nga SPAK, u pohua prej tij në Komisionin Hetimor.

Bllako ishte i preferuari i listës socialiste në Tirane, më shume sesa Majko apo Kodheli. Por ylli i tij shkëlqeu pak në qiellin rozë. Sot atë e presin ditë të vështira dhe vetëm, në perspektiven e izolimit në burg dhe nën akuzën e rëndë për korrupsion.

Top Channel