Tirana solidarizohet me Ukrainën, kryeqyteti mbushet me simbolet në favor të paqes me Ukrainën

29/03/2022 12:10

Tirana dhe qytetarët e saj vijojnë mbështetjen ndaj Ukrainës dhe qytetarëve të saj të cilët prej një muaji janë duke vuajtur agresionin rus.

Kryebashkiaku Veliaj ka publikuar disa foto nga muralja më e re në kryeqytet, ku është pikturuar një i ri me simbolet e flamurit ukrainas teksa gjuan me llastiqe. Por në vend të gurit, artisti kryeqytetas në mënyrë simbolike ka vendosur trëndafil, duke përcjellë mesazhin e paqes.

Ndërkohë, pas emërtimit të rrugës “Ukraina e lirë” dhe vendosjes së flamujve në shtyllat e ndriçimit, Bashkia e Tiranës ka lyer dhe trotuaret pranë ambasadës serbe dhe ruse me ngjyrat e flamurit ukrainas.

Kujtojmë që në këtë rrugë ndodhet dhe selia e Ambasadës Ruse si dhe ajo e Serbisë.

Në kryeqytet ka nisur një fushatë sensibilizuese nga Bashkia e Tiranës për grumbullimin e ndihmave në mbështetje të popullit ukrainas që po përballet prej ditësh me agresionin rus. Përveç organizimeve për mbledhjen e kontributeve, kanë qenë të shumtë qytetarët që individualisht kanë ofruar ndihma monetare, ushqime apo edhe veshje. Të gjitha e ndihmat e mbledhura dërgohen në mbështetje të popullsisë civile ukrainase të prekur nga agresioni rus.

Top Channel