“Nuk jemi helmuar”, negociatorët ukrainas përgënjeshtrojnë lajmin e gazetës amerikane

29/03/2022 11:39

Duke cituar, siç thanë, persona në dijeni të çështjes, gazeta amerikane “Wall Street Journal” dhe faqja investigative “Bellingcat”, raportuan se miliarderi rus Roman Abramovich dhe negociatorët e Ukrainës për bisedimet e paqes dyshohet se kanë shfaqur simptoma helmimi në fillim të këtij muaji pas një takimi në Kiev.

Sipas “Wall Street Journal”, simptoma helmimi u shfaqën tek  Abramovich, i cili ka pranuar një kërkesë të Ukrainës për të ndihmuar në negociatat për t’i dhënë fund luftës  si dhe tek të paktën dy anëtarë të lartë të ekipit ukrainas. Por zyrtarët ukrainas i hodhën poshtë këto njoftime.

I pyetur rreth dyshimeve për helmin, kryenegociatori ukrainas Mykhailo Podolyak tha se ka shumë spekulime e teori të ndryshme konspirative. Rustem Umerov, një tjetër anëtar i ekipit negociator, u bëri thirrje njerëzve që të mos i besojnë informacioneve të paverifikuara siç tha ai. Kremlini nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese të dërguar me e-mail për komente rreth kësaj çështjeje.

Në artikullin e “Wall Street Journal”, thuhej se Abramovich dhe negociatorët e tjerë shfaqën simptoma të tilla si skuqje të syve, lotim të vazhdueshëm e dhimbje të tyre, si dhe rrjepje të lëkurës në fytyrë e duar. Gazeta shkruan se tashmë gjendja e zotit Abramovich dhe negociatorëve ukrainas, është përmirësuar dhe se jeta e tyre nuk ndodhet në rrezik.“Bellingcat” shkruante se ekspertët që ekzaminuan incidentin kishin dalë në përfundimin se shkak më i mundshëm, për shfaqjen e simptomave ishte helmimi me një armë kimike e cila nuk dihet se çfarë është saktësisht.

Duke cituar ekspertët, “Bellingcat” tha se doza dhe lloji i toksinës së përdorur nuk kishte qenë i mjaftueshëm për të vënë në rrezik jetën e personave të tjerë dhe se me shumë gjasa kishte patur si qëllim vetëm t’i trembte ata pa u shkaktuar dëme të përhershme. Të prekurit nga sulmi i dyshuar thanë se nuk ishin në dijeni se kush mund të kishte patur interes për një sulm të tillë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA