Ishte i dehur kur aksidentoi për vdekje dy të mitur, nuk pranohet kërkesa e 22-vjeçarit për lirim nga burgu

29/03/2022 13:50

Gjykata e Durrësit rrëzoi kërkesën për lirim nga qelia të të riut që aksidentoi për vdekje dy të mitur në Shkozet të Durrësit.

Përmes avokatit mbrojtës 22-vjeçari Xhoni Muço kishte kërkuar një masë më të butë sigurie, ndërsa vijojnë hetimet për aksidentin fatal që mori jetën e dy të miturve, përkatësisht 13 dhe 15 vjeç, natën e 8 shkurtit të këtij viti, në lagjen 14 të qytetit bregdetar. Aksidenti tragjik ndodhi në afërsi të Gjykatës së Apelit dhe përveç 22-vjeçarit u arrestua dhe babai i njërit prej viktimave. Nga hetimet rezultoi se Muço në gjendje të dehur përplasi me automjetin e tij çiklomotorrin e drejtuar nga Sokol Kovaci 47 vjeç, i cili gjithashtu ishte në gjendje të dehur.

Djali i 47-vjeçarit, Franci 15 vjeç, mbeti i vdekur menjëherë pas përplasjes së fortë. Ai sapo ishte kthyer nga Italia dhe donte të ndihmonte të atin në mbledhjen e hekurishteve.  Pak më vonë në spital ndërroi jetë dhe Danjel Habibi 13 vjeç, fqinj i tyre, që pasditeve, pasi mbaronte shkollën, punonte në rrugë për të siguruar të ardhura për jetesën e familjes së tij.

Një ditë më parë, Gjykata e Durrësit nuk e ka pranuar kërkesën për zbutje të masës shtrënguese ndaj 22-vjeçarit dhe e ka lënë atë sërish në ”arrest në burg”, bazuar në pasojat e rënda të ngjarjes. Muço njihet dhe si person me precedentë të mëparshëm penalë. Natën e aksidentit ai po lëvizte me shpejtësi me automjetin e tij në rrugën kryesore të Shkozetit dhe u përplas me çiklomotorin që ndodhej pranë kontejnerëve të mbetjeve urbane, buzë rrugës.

Nën të njëjtën masë sigurie, arrest në burg, vijon të jetë dhe 47-vjeçari që humbi njërin prej djemve në aksident. Në vazhdim gjykata do të shqyrtojë çështjen dhe japë vendim mbi dy arrestuarit për  aksidentin që i mori jetën dy të miturve romë.

Top Channel