Inteligjenca amerikane pohon se po vihet re një ndryshim i madh strategjie nga ana e Moskës, e cila sipas saj, ka filluar të tërheqë një pjesë të trupave nga zonat përreth Kievit.
Ministria Ruse e Mbrojtjes njoftoi se ka vendosur të “zvogëlojë në mënyrë drastike ofensivën” ne kryeqytetin ukrainas dhe ne Chernihiv. Shtetet e Bashkuara, konfirmojnë se ka vërtet lëvizje në terren. Rusia sipas tyre, po fillon tërheqjen e disa forcave duke përfshirë këtu Grupet Taktike të Batalioneve Ruse.
Forcat ruse tani po tërhiqen në disa zona veriore për ta fokusuar vëmendjen e tyre tek rajonet lindore. SHBA mendon se Rusia do ta mbulojë tërheqjen e ushtarëve të saj me sulme ajrore dhe zjarr artilerie. Zyrtarët amerikanë paralajmërojnë megjithatë se qëndrimi rus mund të ndryshojë përsëri nëse këtë gjë do t’ia lejojnë kushtet e betejës.
Një lëvizje e tillë pason nisjen e raundit të radhës së bisedimeve mes delegacioneve ruse dhe ukrainase në Stamboll, ku palët duket se vijnë secila me lëshime. Në këndvështrimin e Amerikës, nuk bëhet fjalë për një rigrupim afatshkurtër të trupave të Moskës, por për një lëvizje afatgjatë duke qenë se Rusia, nga sa pohon CNN, është duke u përballur vazhdimisht me dështime në veri. Ajo që shqetëson SHBA-në është mbajtja e aleatëve europianë të bashkuar në qëndrimin e tyre për të ushtruar presion ekonomik ndaj Moskës, pasi Uashingtoni pret që trysnia të vazhdojë me qëllimin të detyrohet Rusia ta pranojë marrëveshjen e paqes e t’i japë fund luftimeve.
Top Channel