Kreshnik Spahiu në Open: Fajin për rritjen e çmimit të karburanteve e ka totalisht shteti

28/03/2022 22:30

Analisti Kreshnik Spahiu në një lidhje skype në emisionin Open në Top Channel tha se fajin për rritjen e çmimit të karburanteve e ka shteti shqiptar.

Ai tha se është vendosur një çmim abuziv pasi në të gjitha vendet ku merret nafta ka çmim fiks.

“Në të gjitha analizat, përgjegjësinë për rritjen e çmimit e ka qeveria dhe jo tregtarët e naftës. Do ju jap një sërë arsyesh. Shqipëria importon 100% të naftës. Në momentin që Shqipëria u zhvesh nga pronësia e prona e saj, dhe e ka lënë në dorë të paditur, ka ardhur ky çmim abuziv. Shqiptarët të kuptojnë që ndryshe nga produktet e tjera, nafta ka çmim fiks. A e merr në Moskë, a Arabi Saudite, ka të njëjtin çmim”,  tha Spahiu.

Bordi i Transparencës ka vendosur sërish rritjen e çmimit të naftës, duke e çuar në 245 lekë për litër, nga 233 që ishte këtë javë.

Çmimi i naftës do të rritet në 245 lekë për litër me vendimin e bordit, që pritet të behet nesër publik, pra gati 12 lekë më shumë.

Ndërkohë çmimi i benzinës mbetet po njësoj, pra në 218 lekë. Edhe çmimi i gazi ka mbetur i pandryshuar, në 93 lekë.

Sipas Shoqatës së Hidrokarbureve, vendimi vlen deri ditën e martë, në mbledhjen e radhës së bordit. Bëhet me dije se ka ndryshuar metodologjia e llogaritjes se çmimit, nga formula fillestare qe bordi ka ndjekur ne caktimin e çmimeve te karburanteve.

Top Channel