E ktheu lokalin biznes për lojërat e fatit, arrestohet pronari në Tropojë bashkë me klientin

28/03/2022 10:03

Dy persona kanë rënë në pranga në Tropojë, pasi ushtronin aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit.

Policia bën me dije se ka evidentuar një rast të ushtrimit të kësaj veprimtarie në ambientet e një lokali, me anë të aparateve celulare.

Si rezultat u arrestuan në flagrancë: A. B., 37 vjeç, banues në fshatin Shoshan, për veprat penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”; K.B., 30 vjeç, banues në fshatin Shoshan, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Ata u kapën në flagrancë, duke organizuar lojëra fati me anë të aparateve celulare, në qytetin e Bajram Currit, në lokalin në përdorim të shtetasit A. B., që ishte përshtatur për lojëra fati.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 aparate celulare.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tropojë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel