“Çështja Becchetti”/ Nuk plotësohen votat, bie kërkesa në Kushtetuese për ngritjen e Komisionit Hetimor

28/03/2022 16:28

Kërkesa e PD-së në Kushtetuese për ngritjen e një Komisioni Hetimor për “Çështjen Becchetti” ka rënë për mosplotësim votash.

Më 10 mars, Partia Demokratike dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese një padi, pasi Kuvendit nuk pranoi ngritjen e një Komisioni Hetimor për çështjen “Becchetti”, duke shpresuar se Kushtetuesja të deklarohet në favor të tyre, për të vijuar më pas në hetimin parlamentar për këtë çështje.

Gjykata Kushtetuese mori në pyetje përfaqësuesit e PD-së në lidhje me mënyrën se si është mbrojtur shteti shqiptar.

Në një deklaratë për mediat, në atë periudhë, Grida Duma akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka frikë të hetojë këtë çështje, duke e bërë atë përgjegjës për dëmshpërblimin prej 120 mln euro që shteti shqiptar duhet t’i paguaj Becchetti-t, me vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.

Duma theksoi se ngritja e një Komisioni Hetimor nuk ka nevojë për miratimin e asnjë force politike, duke u shprehur se PD-ja do t’i shkonte deri në fund kësaj çështjeje.

Fancesco Becchetti e paditi Shqipërinë në gjykatën e arbitrazhit në Strasburg, ku pretendonte se deklaratat publike të kryeministrit Edi Rama kanë shkelur prezumimin e tij të pafajësisë.

Padia e ngritur nga Becchetti është depozituar në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg me 21 tetor 2015 dhe i është komunikuar qeverisë shqiptare në 12 janar.

Në po të njëjtën kohë, biznesmeni italian bëri dhe një tjetër padi kundër Shqipërisë për sekuestrimin sipas tij pa të drejtë të televizionit Agon Channel.

Pas një kalvari të gjatë gjyqësor, gjykata i ka dhënë të drejtë Becchettit dhe dënuar Shqipërinë me faturën prej miliona eurosh.

Top Channel