Një humbje lë gjithmonë një shije të hidhur. Për më tepër kur vjen në minutën e fundit dhe me dyshimin që arbitri, në mungesë të VAR, mund të ketë gabuar, duke konsideruar të rregullt një aksion, i cili me shumë mundësi nisi nga një pozicion jashtë loje. Dhe të gjitha këto në një përballje me Spanjën, që ka vendosur në një emërues të përbashkët të gjithë opinionin sportive botëror për klasin dhe supremacinë e saj. Keqardhja bëhet maksimale kur mendon që barazimi do të ishte rezultati i parë pozitiv në historinë e përballjeve me spanjollët.
E megjithatë, ishte vetëm një ndeshje miqësore. E para për vitin kalendarik 2022, prej së cilës përtej rezultatit përgjigjet e marra nga kuqezinjtë tanë ishin më shumë se pozitive. 27 ndeshjet e mëparshme në drejtimin e ekipit kombëtar kanë kristalizuar shumë nga idetë e trajnerit Edi Reja, qoftë sa i përket rreshtimit taktik, emrave të përzgjedhur dhe të aktivizuar, strategjisë së përdorur ndaj një prej pretendenteve kryesorë për kupës e botës dhe një projeksioni për të ardhmen e kësaj skuadre.
Kundër Spanjës kuqezinjtë tanë u shfaqën solidë nga minuta e parë dhe deri në sinjalizimin final, duke i lejuar kundërshtarëve një minimum rastesh dhe goditjesh në portën e Berishës. Ndërkohë që daljet sulm ishin në çdo rast të menduara, të rrjedhshme dhe të rrezikshme, ku klasi i Brojës ishte një kërcënim konstant për mbrojtësit vendas. Dhe ecuria do të kishte qenë shumë më pozitive nëse maltezi Farrugia në minutën e 13′ do të bënte arbitrin dhe jo spektatorin për një ndërhyrje ndaj Cikalleshit në zonë.
Ndërkohë në një ndeshje pothuajse perfekte, pasiguria në disa veprime në gjysmëfushën tonë dhe topat e humbur në një zonë të konsideruar të ndaluar, në një prej të cilëve pësuam edhe golin e parë do të duhet të jetë pjesë e punës së stafit dhe një përpjekje ekstra e futbollistëve për t’i evituar ato.
Por kuqezinjtë tanë dëshmuan gjithashtu se kanë cilësi dhe karakter për t’u përballur me çdo kundërshtar, të luajnë futbollin e tyre, të reagojnë edhe në momentet më të vështira, ta kërkojnë golin edhe atëherë kur duket e pamundur, siç na e konfirmoi Uzuni, dhe të përcjellin mesazhin se janë gati të luajnë për gjëra të mëdha.
Si një premtim janë emrat e aktivizuar kundër Spanjës, klubet dhe karriera e secilit prej tyre, mosha mesatare afro 26 vjeç, dëshira e gjithsecilit për të arritur gjëra të mëdha me kombëtaren, si dhe mbështetja e pakursyer e tifozëve kuqezi. Me siguri duke filluar nga miqësorja me Gjeorgjinë, por mbi të gjitha në ndeshjet zyrtare ndaj Islandës dhe Izraelit në muajin Qershor për Nations League, ndaj të cilave pritshmëritë e të gjithëve tanimë janë maksimale, me qëllimin e vetëm sigurimin e një bilete për EURO 2024.
Top Channel