“Hierarkitë partiake të zhduken një moment”, propozimi i Zhupës për krizën në PD: Të ulemi të gjithë përballë njëri-tjetrit

27/03/2022 17:59

Deputetja demokrate Ina Zhupa kërkon një mbledhje të Grupit Parlamentar të PD-së, me pjesëmarrjen e të gjithë deputetëve, përfshirë Sali Berishën dhe Lulzim Bashën.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Zhupa  propozon mbledhjen e përbashkët të 52 deputetëve të Partisë Demokratike, të votuar nga qytetaret shqiptarë, në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Mbledhja e parë të zhvillohet vetëm me një pikë të rendit të ditës: Situata në PD! Të dëgjojmë njëri-tjetrin, të flasim me njëri-tjetrin sy më sy dhe jo nëpërmjet ekraneve të televizioneve ku jemi bërë ushqimi i përditshëm i publikut që e ndjek si telenovelë!

Mbledhja e parë të zhvillohet në ambientet e kryesisë së kuvendit ku mblidhen edhe grupe të tjera parlamentare, po ku edhe grupi jonë është mbledhur me raste të caktuara.

Mbledhja e parë të moderohet nga deputetja më e re e grupit parlamentar Andia Ulliri dhe mos të ketë limit kohor në diskutime. Hierarkitë partiake le të zhduket një moment, asgjë e keqe nuk do të vijë”, shkruan Zhupa.

Situata në selinë blu vazhdon të jetë e tensionuar. Pas dorëheqjes së kërnuar të Lulzim Bashës, partinë e drejton kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj. Ndërkohë që Sali Berisha ka shtuar përpjekjet për të rimarrë drejtimin e partisë pas nëntë vitesh. Ai është shprehur se do të garojë për t’u bërë kryetar i demokratëve.

Do të jem në garë të hapur dhe ftoj cilindo koleg që do të garojë, është i mirëpritur në një garë të ndershme, me rregulla. Çdo deputet është i lirë të ketë agjendën e tij të takimeve dhe zgjedhësit e vet”, u shpreh Berisha.

Top Channel