Djegia e komisariatit në Kamzë/ Familja e viktimës: Do kërkojmë drejtësi! Arrestohen policët

27/03/2022 19:34

Zjarri që ra në komisariatin numër 5 në Kamzë, mbrëmjen e së shtunës rreth orës 21:00, ishte tragjik për 26-vjeçarin Arben Mici.

I riu i arrestuar për “Dhunë në familje”, në  gjendje të rënduar psikologjike dyshohet se është shkaktar i ngjarjes pasi qelia e tij ishte e para që u përfshi nga flakët. Si pasojë e asfiksisë dhe plagëve të marra ai ndërroi jetë në spital.

Ndërsa në pavionin e djegies plastike me 20% të trupit të djegur është shtruar Dilaver Idrizi, i arrestuar për vrasje të mbetur në tentativë pasi hodhi partneren nga kati i tretë i banesës. I lënduar mbeti edhe punonjësi i policisë Hajredin Boja, i cili po kurohet në urgjencën e sëmundjeve të brendshme, por jashtë rrezikut për jetën.

Pas kësaj ngjarje, u arrestuan për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “mosdhënia e ndihmës” të dy oficerët e sigurisë përgjegjës të cilët dyshohet se nuk kanë kryer kontrollin për mjetet ndezëse për 4 të paraburgosurit, ndërsa 3 policë të tjerë u proceduan në gjendje të lirë.

Edhe pse për dy të ndaluarit ishte caktuar masa e arrestit me burg ditën e djeshme, ata vijuan të qëndronin në paraburgim si dhe mësohet se komisariati nr 5 ka bërë kërkesë për t’i dërguar në burg, por kjo procedurë është zvarritur.

Këtë të diel në komisariat kanë mbetur shenjat e zjarrit në qelitë e paraburgimit, ndërsa në fshatin Çekrez të Kamzës familja Mici qan të birin që e çoi në dyert e burgut për të mos e humbur, por mbrëmjen e djeshme ata morën vesh lajmin  që nuk e prisnin.

Efektivët i njoftuan: Djali juaj vdiq. Familjarët nga dhimbja nuk mundën të flasin, por jashtë kamerës fajësojnë për neglizhencë shtetin, teksa shprehen se janë të prerë në besë.

Sot ata thonë se janë të pafuqishëm për të mbrojtur 26-vjeçarin, por beteja ligjore nuk do të vonojë.

Top Channel