Dhunoi dy motrat në mes të rrugës, vajzat protestojnë përballë drejtorisë së policisë: Ka sulmuar dhjetëra vajza, pse e lirojnë?!

27/03/2022 16:36

Dhjetëra vajza kanë protestuar këtë të diel përballë drejtorisë së policisë, pas dhunës së ushtruar një ditë më parë ndaj dy motrave nga një shtetas me precedent penal.

Denis Telo dhunoi fizikisht dy motrat Ruko, teksa po ecnin në rrugë në kryeqytet.

Vajzat, aktiviste të Organizatës Politike, thonë se janë bërë tetë kallëzime penale ndaj Denis Telos, por ai gjithnjë është lënë i lirë.

 “Ata e lanë të lirë Denisin që ai të na dhunonte akoma më shumë. A do mbani përgjegjësi ju dhe këtu të ketë hetim për atë që ka ndodhur. Sepse kjo është e qartë dhe e dukshme. Unë e kam për gjykatën dhe ata që kanë firmosur lirim e tij”.

Vajzat kërkojnë që përveç Denisit, të dënohen dhe personat përgjegjës që kanë marrë vendimin për ta nxjerrë nga qelia.

“Ka vajza të tjera që janë dhunuar nga Denisi në rrugët e qytetit. Denisi nuk është i vetmi por ky është rast flagrant. Ne kërkojmë të bëhet hetim se kush e ka liruar Denisi që ai të lihet i lirë pas tetë kallëzimeve në polici. Ai është një dhunues serial”.

Të rejat paralajmërojnë vazhdimin e protestave dhe kërkojnë të merren masa urgjente ndaj tiji dhe shtetasve të tjera që dhunojnë vajzat në çdo moment të ditës, ‘pa iu dredhur qerpiku’.

Top Channel