Rusia e cilësoi kryesisht të përfunduar fazën e parë te operacionit të saj ushtarak në Ukrainë dhe tha se do të fokusohej në “çlirimin” e rajonit separatist të Donbasit, lëvizje kjo që u pa menjëherë si shenjë e një zbrapsjeje të Moskës.
Ambiciet e mëdha ruse në Ukrainë u ndeshën me një rezistencë të fortë të ushtrisë dhe banorëve vendas, me probleme të mëdha logjistike dhe një rënie të ndjeshme të moralit të trupave ruse. Ishte ministria ruse e mbrojtjes ajo që doli me deklaratën e energjitë e Moskës tani do të përqëndrohen në rajonet lindore të Ukrainës.
Sergei Rudskoi: Objektivi kryesor në këtë fazë të parë të operacionit në përgjithësi, është përmbushur. Fuqia ushtarake e trupave ukrainase është reduktuar ndjeshëm, dhe kjo na lejon që të përqëndrohemi tek objektivi i vërtetë i operacionit tonë, që është clirimi i Donbasit.
Presidenti ukrainas, Volodymir Zelensky tha se 16 mijë trupa ruse janë vrarë që nga fillimi i pushtimit, të ciline cilësoi një poshtërim për agresorin, ndërsa paralajmëroi se ushtria ukrainase po përgatitet të rimarrë Khersonin.
Zelensky: Gjatë javës së kaluar, forcat tona heroike i dhanë disa goditje të fuqishme armikut, që pësoi humbje të jashtëzakonshme. I jam mirënjohës mbrojtësve të atdheut të cilët i treguan rusëve se deti për ta nuk do të ishte i qetë, edhe atje ku nuk kishte stuhi. Sepse në vend të ujit, do gjenin zjarrin.
Britani e Madhe i paralajmëroi megjithatë ukrainasit të bëjnë kujdes, pasi tërheqja e Rusisë mund të jetë sipas saj, një kurth, e manovra të tilla nuk janë të pazakonta për Vladimir Putinin. Qeveria britanike vendosi ndërkohë sanksione ndaj 65 individëve dhe kompanive të tjera në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës, të cilat përfshijnë prodhuesin rus të armëve Kronstadt si prodhues i dronëve të armatosur Orion dhe mjeteve të tjera ajrore pa pilot, sipas një përditësimi nga Ministria e Mbrojtjes.
Top Channel