Prodhonte kriptomonedha virtuale në magazinë, arrestohet 60-vjeçari në Malësi të Madhe

26/03/2022 12:37

Një 60-vjeçar, i identifikuar me inicialet M.H., është vënë në prangat e policisë pasi akuzohet për tre vepra penale.

Në kuadër të operacionit të koduar “Bitcoin” është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit M. H., në Malësi të Madhe.

Gjatë kontrollit, pranë magazinës së kësaj banese janë gjetur dhe sekuestruar 14 pajisje të markave të ndryshme elektronike, të cilat dyshohet se shërbenin për gjenerimin në mënyrë të jashtëligjshme të kriptomonedhave virtuale, si dhe aksesorë të tjerë që nevojiten për zhvillimin e kësaj veprimtarie.

Këto pajisje furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Në përfundim të veprimeve hetimore për këtë rast, u arrestua në flagrancë pronari i banesës, shtetasi M. H., 60 vjeç, banues në Malësi të Madhe, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Vjedhja e energjisë elektrike”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi pa licencë i aktivitetit tregtar”.

Policia goditi këtë aktivitet të mashtrimi kompjuterik së bashku me bashkëpunimin me OSHEE-në, pasi mori informacione policore operative se në Malësi të Madhe po ushtrohej veprimtaria e prodhimit të kriptomonedhave virtuale, në mënyrë të jashtëligjshme.

Vazhdojnë hetimet për identifikimin e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Top Channel