Lufta në Ukrainë, Turqia “mbetet pa grurë”: Eksportet, rënie drastike

26/03/2022 14:21

Turqia po e ndjen fort tek gruri peshën e pushtimit rus në Ukrainë. Një muaj pas nisjes së luftës atje, eksportet e grurit në Turqi janë ulur ndjeshëm.

Në fakt, agresioni i Moskës ndaj vendit fqinj ka zvogëluar ndjeshëm pothuajse të gjitha eksportet ushqimore nga Deti i Zi. “Ne kemi nevojë të importojmë afërsisht 10 milionë ton grurë të cilësisë së lartë. Unë nuk e di nëse Rusia ka kaq shumë furnizim, pasi ata kanë vendosur kontrolle mbi eksportet. Po ashtu Ukraina ishte tregu numër një i Turqisë për drithërat dhe për fara luledielli. Sigurisht, Turqia mund të blejë nga tregje të tjera, por ato janë më larg që do të thotë kosto më të larta transporti dhe më e rëndësishmja në këto vende kushton më shtrenjtë”, tha për VOA-n Atilla Yesilada, ekspert ekonomie. Turqia tashmë po paguan një çmim të lartë për importin e drithërave.

“Bordi turk i drithërave kishte importuar grurë qershorin e kaluar për 262 dollarë amerikanë për ton, por javën e kaluar çmimi arriti në 456 dollarë, pra të paktën dyfishi i çmimit. Kështu në Turqi pasojat do të jenë të larta, pasi mbështetet në importet bujqësore. Faktorë të tjerë janë dhe rritja e çmimeve të ushqimeve për shkak të luftës në Ukrainë dhe detyrimit për të paguar në monedhë të huaj”, thotë Ali Ekber Yildirim, analist në gazetën “Dunya”.

Vlera e monedhës turke ra vitin e kaluar dhe ajo vazhdon të jetë nën presion. E ndërsa për importet e grurit pagesat duhen bërë në dollarë, inflacioni, që përpara nisjes së luftës ishte më shumë se 50%, tani, thonë ekspertët, do të rritet edhe më shumë. Çmimi i bukës në Turqi tani pothuajse është dyfishuar. Pavarësisht subvencioneve të qeverisë për miellin, pritshmëria është që çmimet të vijojnë të rriten.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA