Skuadra kryeqytetase e volejbollit për meshkuj riktheu në Tiranë trofeun e Kupës së Shqipërisë pas 26 vitesh. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti skuadrën kampione, ndërsa theksoi se ky është viti i Tiranës.
“Është një gëzim i jashtëzakonshëm, që Kupa e Shqipërisë në volejboll për meshkuj rikthehet në shtëpinë bardhë e blu pas 26 vitesh. Ju faleminderit çuna, e vlerësoj jashtë mase përkushtimin tuaj. Ia ka vlejtur edhe përkushtimi ynë – kemi një lidership të ri në SK Tirana, por kemi edhe investime të reja, siç është “Fahrije Hoti”. Shpërblimi vjen kur çunat e gocat sjellin rezultate. Po investove është njësoj si të hedhësh farë të mirë në arë – po e plugove, do kesh produkt. Kur bën investime edhe në burime njerëzore, edhe në financa, kupat nuk vonojnë”, nënvizoi kryebashkiaku.
Veliaj tha se ky rezultat duhet mbajtur jo vetëm në volejboll, por edhe për sportet e tjera, duke vënë theksin te futbolli.
“Tani që edhe Shoqata e Tiranës në Futboll u njoh nga gjykata, por edhe federata e pranoi atë verdikt, do merremi seriozisht edhe me futbollin në Tiranë. Çfarë ndodh jashtë Tiranës, secili duhet të bëjë betejat e veta, por ne këtu, ekipet tona i ruajmë me fanatizëm, i financojmë me përkushtim dhe sigurisht, ndiejmë një kënaqësi të posaçme. Pothuajse çdo javë një nga ekipet tona ka sjellë një kupë në Tiranë”, nënvizoi Veliaj.
Kryebashkiaku tha se Bashkia e Tiranës do të vendosë në dispozicion të të rinjve të talentuar të gjitha palestrat e shkollave.
“Hapëm 14 shkolla, kemi rreth 10-12 që do i hapim këtë vit, përfshirë edhe qershinë mbi tortë – gjimnazin “Sami Frashëri”. Palestrat e tyre duam t’i vëmë në dispozicion për ekipet zinxhir. Ne nuk duhet të mjaftohemi që kemi një ekip elitar, na duhet të shohim edhe ekipet nën 16 vjeç, 12 vjeç, 10 vjeç, e kështu me radhë, për t’u siguruar që pasurojmë ekipin dhe mendojmë edhe për gjeneratën tjetër të Tiranës, jo vetëm për këtë vit, ku jemi Kryeqyteti Europian i Rinisë. Ndaj, duam të vendosim në dispozicion disa nga palestrat super cilësore të shkollave, të cilat kanë thuajse të njëjtën cilësi si salla jonë model “Fahrie Hoti””, përfundoi Veliaj.
Top Channel