Asnjëanëse, por me sytë nga NATO-ja: A mund të jetë Ukraina neutrale?

26/03/2022 14:28

Qeveria ruse kërkon një Ukrainë neutrale, sipas modelit suedez apo austriak, një ide e hedhur kjo në mes të marsit në një nga raundet e negociatave si rrugëdalje nga lufta.

“Ky është një variant që po diskutohet dhe mund të shihet si një kompromis i caktuar,” pohoi asokohe zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. Por ndërsa Ukraina synon qartazi anëtarësimin në NATO, a mundet të arrihet vërtet asnjëanësia e saj? Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Austria ashtu si Gjermania, u pushtua nga katër fuqitë fituese. Bashkimi Sovjetik pranoi të tërhiqet vetëm sepse Austria u zotua për “neutralitet të përhershëm” në një marrëveshje të nënshkrur në vitin 1955. Leos Müller, historian i Universiteti të  Stokholmit thotë per DW se në rastin e Vjenës, “neutraliteti erdhi nga lart, përmes një traktati mes fuqive të mëdha”.

Ndryshe nga Austria, Suedia e zgjodhi vet neutralitetin e saj. Ai ka qenë në fuqi për më shumë se 200 vjet, pasi vendit iu desh t’ia dorëzonte Moskës atë që ishte Finlanda e atëhershme në luftën kundër Rusisë në vitin 1809. Finlanda vetë fitoi pavarësinë në vitin 1917, dhe ka qenë në gjendje ta ruante këtë pas dy luftërave kundër Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, në të tre rastet, në rrjedhën e viteve, neutraliteti ka ardhur duke u dobësuar.

Edhe pse ato nuk janë anëtarësuar në ndonjë aleancë ushtarake, janë bashkuar me BE-në, e cila ka ka një politikë të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë me elementë ushtarakë. Sidomos dy vendet kufitare me Rusinë, Suedia dhe Finlanda, janë duke kërkuar tani bashkëpunimin ushtarak me NATO-n. Ndaj dhe mjaft ekspertë mendojnë se neutraliteti nuk do të funksiononte për Ukrainën e thonë se shtete ose organizata të tjera, si SHBA, vetë Rusia apo NATO, do të duhej ta garantonin këtë neutralitet dhe ta mbronin në rast sulmi, vetëm se kjo kërkon funksionimin e ligjit ndërkombëtar e marrëveshje, të cilat Moska aktualisht, po i shkel të gjitha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA