Deputeti Flamur Noka ka folur nga selia blu, pas kontrollit që bëri nëpër zyra dhe tha se godina do të jetë e hapur për çdo demokrat dhe të shkuarën nuk do të donin as ta kujtonin. Ndër të tjera, Noka thotë se kontrolli i ditës së sotme u bë pasi nuk duan të jenë peng i hijeve të bunkerit apo mentaliteteve të vjetra të përçarjes.

Noka: Dy janë mesazhet që mund t’ju sjellim, çbunkerizimi i PD dhe rruga me çdo demokrat nga më i thjeshtinë bazë deri tek deputetët në qendër. Pas bunkerizimit të partisë, kjo godinë do të jetë e hapur për çdo demokrat. Kjo periudhë do i kalojë të shkuarës, nuk do të doja që as ta kujtonim këtë situatë që ka kaluar PD dhe demokratët. Nuk mund të rrimë peng i hijeve të bunkerit, as i mentaliteteve të vjetra të përçarjes dhe beteja do të jetë me regjimin për ta rrëzuar se po i pi gjakun shqiptarëve.

I pyetur nëse do të ketë vend për kryetarin e dorëhequr, Lulzim Basha, deputeti Noka tha se partia nuk do të jetë më e bravave apo e blindave, ndaj ka vend për të gjithë demokratët.

Noka: Në PD ka vend për çdo qytetar të lirë të këtij vendi, i cili nuk pajtohet me regjimin dhe është kundër këtij regjimi. Sigurisht nuk do jetë më parti e bravave e blindave. Kjo forcë do të jetë e hapur për Bashën si një nga kolegët tanë dhe këdo tjetër.

Edhe për deputetët e PD, tha se kanë takime miqësore dhe nga sot e tutje, do të ketë vetëm bashkim të demokratëve.

Noka: Takim kafe shumë miqësore se jemi kolegë, jemi në të njëjtën forcë politike, kemi të njëjtën rrugë dhe regjim. jemi të hapur për çdo gjë. vetëm ndarje nuk kemi më, vetëm në funksion të bashkimit. Jemi në çdo moment në konktakt me kolegët tanë deputetë dhe të gjithë demokratët. Fryma jonë është bashkim. Kjo parti nuk është prona e askujt, por e demokratëve. Neve që na është dhënë votëbesimi nga demokratët, kemi një detyrë, ti bashkojmë demokratët dhe ta vitalizojmë këtë forcë për ta bërë fituese siç ka qenë gjithmonë.

Demokratët janë tolerantë dhe mendjehapur. E dinë mirë që po nuk hodhën pas hijet e së shkuarës, nuk ecin para, po mbetëm peng i blindeve nuk ecim para. Kryetarin e grupit parlamentar do e takojmë sërish. Kemi rënë dje dakord për të vijuar bisedimet dhe absolutisht do të mblidhet.

Top Channel