Bisedime me Alibeajn dhe Bardhin, grupi i Rithemelimit dhe Berisha futen në selinë blu

25/03/2022 14:42

Në përfundim të mbledhjes të grupit të Rithemelimit, disa prej anëtarëve kanë shkuar në selinë e PD.

Gazetarja e Top Channel, Elda Menga bën me dije se Flamur Noka ka thënë se po shkonin në seli për bisedime me Enkelejd Alibeajn. Pjesë e bisedimeve është edhe Arbi Agalliu dhe Bledjon Nallbati.

Në selinë e PD ka mbërritur Flamur Noka, Ivi Kaso, Belind Këlliçi, Albana Vokshi, Edmond Spaho dhe Luan Hoti. Pas tyre, Sali Berisha i është bashkuar mbledhjes të anëtarëve të grupit të Rithemelimit në selinë e PD.

Takimi po kryhet tek zyra e sekretarit të përgjithshëm të PD, ndërsa i pranishëm është edhe juristi i PD Indrit Sefa.

Mbledhja e Komisionit të Rithemelimit u mbajt pas vendimit të Gjykatës së Tiranës. Përfaqësuesi ligjor i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso bëri me dije se Gjykata e Tiranës ka marrë vendimin për të njohur grupin e rithemelimit si organin drejtues të PD.

Top Channel