Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK për shpërdorim detyre gjyqtarin Agron Zhukri, për vendimin që mori këtë të premte për t’i dhënë Grupit të Rithemelimit statusin e organit drejtues të PD-së.

“Gjyqtari Agron Zhukri shkeli vendimin e vet për të pezulluar shqyrtimin e çështjes derisa të përfundonte gjykimi tjetër për kërkesën e PD për ndryshimet statutore”, thuhet në një njoftim të së djathtës.

PD i kërkon SPAK-it të administrojë kamerat e gjykatës, pasi pretendon se aty shihet qartë takimi i gjyqtarit Zhukri me një nga përfaqësuesit e Komisionit të Rithemelimit. Zhukri e ka caktuar seancën pas këtij takimi, thotë PD.

Në kallëzimin penal, PD sqaron se gjyqtari Zhukri nuk i ka lajmëruar për të marrë pjesë në seancë, megjithëse gjykata ka administruar kërkesat e PD përmes të cilave gjyqtari Zhukri është vënë në dijeni se kërkesa që ai kishte për të shqyrtuar ishte në kundërshtim me ligjin për partitë politike.

Më kallëzim theksohet se gjyqtari Agron Zhukri ka shkelur rëndë ligjin duke marrë një vendim pa pasur më parë një vendim të formës së prerë për pasqyrimin e ndryshimeve statutore të 17 Korrikut.

Vendimi u dha nga gjyqtari Agron Zhukri, duke i hapur kështu rrugë marrjes së drejtimit të Partisë Demokratike nga 29 anëtarët e Komisionit të Rithemelimit, i cili përmes votës së 4935 delegatëve në Kuvendin e 11 Dhjetorit shkarkoi nga postet drejtuese Lulzim Bashën, nënkryetarët, Sekretarin e Përgjithshëm dhe Kryesinë. Me regjistrimin në gjykatë të statutit të 11 Dhjetorit, gjykata i njohu Komisionit të Rithemelimit të drejtën e rikthimit në selinë e Partisë Demokratike, si dhe vulën e simbolet e reja të miratuara në Kuvendin e tyre.

 

 

 

 

 

Top Channel