Ndezën zjarr për hapjen e kullotave/ Arrestohet një person, procedohen dy të tjerë

25/03/2022 14:33

1 person ka rënë në pranga dhe dy të tjerë janë proceduar penalisht nga policia e Gramshit, pasi ndezën zjarr me qëllim hapjen e kullotave dhe si pasojë flakët përfshinë sipërfaqe të mëdha toke.

Në pranga është vënë shtetasi me inicialet V.D 48-vjeç ndërsa janë proceduar penalisht shtetasit me inisiale P.T  nga Valëshi dhe Sh.R nga Elbasani.

Njoftimi i Policisë:

Ndezën zjarr me qëllim hapjen e kullotave, si pasojë e përhapjes së flakëve zjarri përfshiu sipërfaqe të mëdha toke.  Vihet në pranga 1 shtetas, procedohen penalisht 2 të tjerë.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gramsh, në vijim të punës për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve, ndaluan me iniciativë shtetasin:

V.D., 48 vjeç, banues në fshatin Plepaz, pasi në masivin pyjor Prrenjas-Katerliz, ka ndezur zjarr dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke me shkurre.

Gjithashtu, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan u proceduan penalisht:

-P. T., banues në Valësh, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në pronën e tij dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke (kullotë);

-Sh. R., 47 vjeç, banues në Elbasan, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në pronën e tij, në fshatin Guri i Zi, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve për shkak të erës, është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme toke;

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan apelon për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, për çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.

Top Channel