Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve serbë të Kosovës, të ruajnë qetësinë dhe të “besojnë më shumë te Qeveria e Kosovës”.
Përmes një video-mesazhi në gjuhën serbe, të postuar në rrjetet sociale, Kurti falënderoi qytetarët serbë që protestuan, “në mënyrë paqësore” më 25 mars në Graçanicë dhe Mitrovicë të Veriut.
Por, Kurti i paralajmëroi qytetarët serbë që të mos ndikohen nga autoritetet në Serbi.
“Atyre nuk iu interesojnë të drejtat dhe përfitimi i serbëve në Kosovë. Ata përpiqen të destabilizojnë Kosovën për qëllimet e tyre zgjedhore, e ndoshta edhe për interesat luftëndjellëse të ndonjë fuqie të madhe. Prandaj qytetarë të dashur, ju ftoj që të ruani qetësinë dhe të besoni më shumë te Qeveria e Kosovës”, tha kryeministri Kurti.
Më 25 mars, në Graçanicë dhe Mitrovicë të Veriut, serbët protestuan kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, në territorin e Kosovës.
Po ashtu, partia kryesore e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, bëri të ditur se kjo parti dhe stafi serb në Gjyqësorin e Kosovës e kanë pezulluar punën në institucionet e Kosovës, derisa të kthehet në postin e saj Lilana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore të Mitrovicës.
Stevanoviq u suspendua pasi mori pjesë në një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që u mbajt në Beograd më 22 mars.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Stevanoviq është suspenduar me urdhër të Kurtit. Por, në video-mesazhin e publikuar, Kurti tha se këtë lajm e ka marrë vesh nga mediat.
“Unë angazhohem për drejtësi dhe të drejtën, por nuk jam kryesues i Këshillit Gjyqësor, e as anëtar”, tha Kurti.
Më 22 mars, Vuçiq u takua në Beograd me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe, të caktuara më 3 prill.
Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga Serbia që t’i drejtohet me kërkesë për mbajtjen e zgjedhjeve të 3 prillit, por Beogradi nuk ka pranuar./REL
Top Channel