Rusia duhet larguar nga grupi i 20 vendeve më të industrializuara të botës deklaroi presidenti amerikan Joe Biden.
Nëse vendet e tjera anëtare nuk do të pajtoheshin me këtë, atëherë ai do të bëjë c`është e mundur që Ukraina të jetë në gjendje të marrë pjesë në takime.
“Gjëja më e rëndësishme është që ne të qëndrojmë të bashkuar dhe bota të vazhdojë të përqendrohet tek ajo çfarë po bën Vladimir Putin dhe tek jetët e njerëzve të pafajshëm që po humbasin. Arsyeja përse e kërkova takimin, është se ne duhet të qëndrojmë plotësisht të bashkuar.”- tha Biden
Por Kremlini reagoi duke thënë se dalja e Rusisë nga G20-ta nuk do të ishte një katastrofë. “Formati i 20 ekonomive më të mëdha të botës është i rëndësishëm vërtet. Por në situatën aktuale, kur shumica e pjesëmarrësve të tij janë në një gjendje lufte ekonomike me ne, asgjë e jashtëzakonshme s`ka për të ndodhur”, u shpreh zëdhënësit i Putinit, Dimitry Peskov.
Më herët, ish presidenti rus Dmitry Medvedev, sot zëvendësshef i Këshillit shtetëror të Sigurisë, deklaroi se do të ishte “budallallëk” të besohej se sanksionet e Perëndimit kundër bizneseve ruse mund të kenë ndikim në Qeverinë në Moskë.
“Nuk ka asnjë mundësi që këta biznesmenë të kenë qoftë edhe ndikimin më të vogël në lidershipin e vendit”, tha Medvedev, por analistët besojnë se ndëshkimi i oligarkëve mund të funksionojë, pasi ata mund t’i bëjnë presion Putinit për të ndryshuar strategjinë e tij.
Top Channel