Pezullimi i kryetares së Gjykatës së Mitrovicës po cilësohet si dëbim i serbëve nga institucionet e Kosovës.

Shefi i Zyrës së Serbisë për Kosovën, Petar Petkoviq thotë se qëllimi është prishja e paqes së arritur deri më tani. “Me këtë lëvizje, Kurti hyri në një epokë të re të dhunës politike dhe heqjes së të drejtës së serbëve dhe tregoi se dëshiron të shohë ndjekës në pozita udhëheqëse në institucionet që i përkasin popullit serb, dhe jo njerëz me integritet siç është znj. Stevanoviq”, ka thënë Petkoviq.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin ka akuzuar Kosovën se po përgatitet për konflikt të armatosur. “Ky është hapi i parë drejt tërheqjes së Serbisë në konfliktet e armatosura në Kosovë, të cilat shqiptarët padyshim po i përgatisin”. Vulin ka shtuar se tashmë ka marrë fund marrëveshja e arritur në Bruksel.

Se nuk ka më marrëveshje ka thënë edhe kryeministrja Ana Brnabiq. “Vazhdon dhuna brutale ndaj serbëve në Kosovë. Me çdo vendim, Kurti cënon paqen dhe stabilitetin në baza ditore, shkel marrëveshjet ndërkombëtare dhe mohon të drejtat themelore të njeriut për pjesëtarët e popullit tonë në Kosovë. Marrëveshja e Brukselit ka vdekur”, është shprehur ajo.

Top Channel