Sundimtari i Dubait nuk do të ketë ‘kontakt direkt me dy fëmijët’, thotë gjykata britanike (fotot)

24/03/2022 17:20

Ish-bashkëshortja e Sheikut Mohammed, princesha Haya ka fituar të drejtën për të vendosur mbi shkollimin dhe kujdesin mjekësor të fëmijëve.

Pas një beteje të gjatë gjyqësore mes çiftit të ndarë, një gjykatë në Britani ka vendosur se sundimtari i Dubait  nuk do të ketë kontakt fizik fytyrë më fytyrë me dy fëmijët e tij nga martesa me Princeshën Haya dhe as të drejtë vendimesh në rritjen e tyre, pas pranimit të ankesave për “sjelljen e tij abuzive”.

Pas dy vjet e gjysmë procedimesh ligjore, të cilat nisën kur Haya u largua prej tij drejt Britanisë me dy fëmijët në  prill 2019, gjykata familajre e Anglisë e Uellsit tha se Sheikh Mohammed bin Rashid al-Maktoum kishte “shfaqur vazhdimisht sjellje imponuese ndaj anëtarëve të familjes që silleshin kundër vullneteve të tij”.

Gjykatësi Andrew McFarlane vendosi se Haya merrte e vetme përgjegjësinë për shkollimin dhe kujdesin mjekësor të fëmijëve, pasi ish-bashkëshorti i saj, sundimtar i Dubait dhe kryeministër i Emirateve të Bashkuara Arabe, kishte shkaktuar abuzim shtëpiak dhe lëndim psikologjik ndaj fëmijëve.

Sheik Mohammed kishte kërkuar në gjykatë kthimin në Dubai të bijës Jalila, tani 14 vjeçe, dhe djalit Zayed, tashmë 10 vjeç, por McFarlane ka thënë se sumdimtari i Dubait ka pranuar se fëmijët do të jetojnë në Angli me nënën e tyre.

Në vendim gjykatësi tha se mospjesëmarrja e Sheikh Mohammed në seancat gjyqësore përveçse me anë të avokatëve, dhe mungesa e shprehjes së pendesës për sjelljen ishte një tjetër faktor ndikues.

Në dëshminë e saj Haya, e cila vitin e kaluar fitoi një pagesë rekord divorci prej rreth 500 milionë paundë, tha: “Nuk mund të ndaj përgjegëjsitë prindërore me dikë që nuk konsiderohet si prind prej fëmijëve dhe as permendet në dokumente. Falenderoj Anglinë për mikpritjen dhe mirëkuptimin, që forcoi besimin tone te drejtësia”.

Ndërsa në një deklaratë të përfaqësuesve të Sheikh Mohammed thuhej: “Ai i do fëmijët e tij dhe gëzon me dashurinë për ta. Gjithmonë është kujdesur që ata të kenë gjithçka dhe i mohon argumentet e bëra në procedurën e kontestuar gjyqësore”.

FOTO GALERI
1/4
Një gjykatë në Britani ka vendosur se sundimtari i Dubait nuk do të ketë kontakt fizik fytyrë më fytyrë me dy fëmijët e tij

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA