Të ardhurat buxhetore arritën në 28.9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë vitit 2021, duke shënuar një rekord të ri historik në këto 30 vite të tranzicionit sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave.
Përmirësimi më i lartë në raport me PBB ishte në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, arkëtimet e të cilit arritën në 9.1 % të PBB-nga 8.1 për qind që ishin në vitin 2020.
Rezultati fiskal u përmirësua me 2.5 pikë përqindje brenda vitit, por faktorët që kanë mbështetur këtë sukses lidhen kryesisht me rritjen çmimeve të mallrave të konsumit.
Të dhënat për tregtinë e jashtme nga INSTAT tregojnë se importet në sasi gjatë vitit 2021 u rritën me 11.4 për qind, por në vlerë ato ishin 32 për qind më të larta se në vitin 2021. Për të njëjtën sasi artikulli të importuar doganat kanë arkëtuar më shumë TVSH në vitin 2021 se sa në vitin 2020. Për çdo rritje çmimi automatikisht rriten edhe të ardhurat që vilen në përqindje të çmimeve. Rritja e çmimeve shihet të kenë qenë përgjegjëse së paku me dy ë tretat e rezultateve në të ardhura dhe pjesa tjetër i dedikohet konsumit më të larta pas pandemisë.
P.sh. për një litër naftë me çmim 180.8 lekë në dhjetor 2021 buxheti arkëtoi 36 lekë TVSH nga 30 lekë që arkëtonte në dhjetor të vitit 2020. Rritja e çmimeve në mënyre indirekte rrit taksat ndaj konsumit.
Rritja e çmimeve të mallrave të importit ndikon pozitivisht të ardhurat buxhetore, pasi arkëtimet neto nga tatimet që vilen në përqindje shënojnë rritje, por ndikimet negative do të jenë për konsumatorët, pasi do të duhet të paguajnë çmime më të larta për mallrat që konsumojnë e për rrjedhojë më shumë taksa për të njëjtin artikull.
Arkëtimet e larta për shkak të rritjes së çmimeve kanë vijuar edhe ketë vit të stimuluara nga lufta Rusi-Ukrainë. Gjatë janar-shkurt 2020, importet e mallrave në sasi shënuan rritje me 4.6%, ndërsa ë vlerë u rritën me 26.7%. Pothuajse për të njëjtën sasi produktesh janë paguar rreth 24 miliardë lekë më shumë, apo gati 200 milionë euro më shumë, kosto që pritet të transferohet te konsumatori nëpërmjet çmimeve më të shtrenjta të produkteve.
Shqipëria renditet ndër vendet më të rendimentin më të ulët fiskal në Europë, sa i takon arkëtimeve në raport me PBB.
Edhe pa efektet e krizës pandemike, Shqipëria kishte rendimet të ulët fiskal, pasi të ardhurat në raport me PBB më 2019 ishin së paku 10 pikë përqindje më të ulëta se mesatarja rajonale sipas të dhënave të Eurostat.
Vendi ynë ndër vite ka zhvilluar shumë strategji për të luftuar infomalitetin me qëllim rritjen e arkëtimeve buxhetore, po gjithnjë e ato kanë qenë të pasuksesshëm.
Nëse nuk zhvillohet një model ekonomik të qëndrueshëm, më shumë gjasë kur efekti i çmimeve të larta të kalojë, të ardhurat buxhetore do të shkojnë në shtratin e tyre të vjetër./ Monitor
Top Channel