Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro ka njoftuar se duke nisur nga data 3 prill, e diela e parë e çdo muaji do të jetë si fillim ditë pa makina në qytetet kryesore të çdo qarku.
Kjo është nisma më e fundit e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.
“Në ditën pa makina në kryeqytet, ndjemë disa orë qetësie që qytetarët na u bashkuan në fikjen e makinave, prandaj në frymën e mirë të këtij organizimi kemi vendosur që ditën pa makina, në nisjen e muajit prill ta shtrijmë në qytetet kryesore të 12 qarqeve të vendit.
Krizën energjetike, si një kronikë të paralajmëruar jo shumë kohë më parë, fatkeqësisht po e ndjejmë pa dallim. Ngjarjet e fundit kanë vënë në vështirësi të gjitha ekonomitë globale dhe xhepat e çdo familjeje, sigurisht që pasojat po ndihen edhe në vendin tonë. Reagimi ka qenë i shpejtë, ku qeveria me ngritjen e Bordit të Transparencës po luan rolin vendimtar në shmangien e abuzimit me çmimin e karburanteve dhe të produkteve të shportës, me qëllim mbrojtjen e çdo qytetari.
Angazhim ky që do të vazhdojë pa reshtur, por nga ana tjetër sa i takon krizës së karburanteve kërkon mirëkuptimin e tonë në reduktimin e lëvizjeve me automjete sa më shumë të kemi mundësi. Dhe nëse s’mund ta shmangim ndezjen e makinës çdo ditë, të paktën ta fillojmë nga ditët e pushimit. Prandaj e nisim planin e Ditës pa Makina nga e diela e parë e çdo muaji, duke filluar prej datës 3 prill”, tha Kumbaro.
Top Channel