Java e Parasë 2022 / Kushi për Edukimin Financiar: T’u mësojmë nxënësve si të fitojnë para me ndershmëri

24/03/2022 12:59

“Java e Parasë” është një aktivitet që zhvillohet në shumë vende të botës dhe synon ndërgjegjësimin e nxënësve dhe të rinjve për rëndësinë e parasë, dhënien e njohurive mbi sistemin ekonomik e financiar brenda dhe jashtë vendit.

Në këtë aktivitet të zhvilluar në Muzeun e Bankës së Shqipërisë ishin të pranishëm Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, Kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave Silvio Pedrazzi, si dhe drejtues të bankave të tjera që operojnë në Shqipëri, nxënës, mësues.

Gjatë fjalës së saj Ministrja Kushi u shpreh se edukimi financiar në sistemin arsimor parauniversitar është një politikë e pandashme, nisur nga kurrikula bërthamë, me lëndën e qytetarisë në arsimin bazë, si dhe lëndën e ekonomisë në klasën e dymbëdhjetë.

Ajo tha se shoqëria shqiptare duhet të punojë akoma më shumë për t’i dhënë parasë vendin e duhur dhe vlerën e duhur.

“Duke edukuar nxënësit apo të rinjtë në aspektin financiar, ne ndihmojmë gjithë shoqërinë. Ne përmirësojmë mentalitetin dhe sjelljen që kemi ndaj parasë. Kjo nënkupton se ne nxënësit i edukojmë se si t’i shpenzojnë paratë por edhe si t’i kursejnë. Ne i edukojmë nxënësit si të fitojnë, por si të fitojmë në mënyrë të ndershme. Si të ngrenë një biznes, por si të ngrenë një biznes të ndershëm”, u shpreh Kushi.

Një theks të veçantë ministrja Kushi i dha edhe edukimit financiar të nxënësve për sa u përket fenomeneve negative që lidhen me paranë, si korrupsioni, pastrimi i parave apo evazioni fiskal.

“Unë i falënderoj Bankën e Shqipërisë dhe Shoqatën Shqiptare të Bankave, por ndërkohë dua të ftoj të gjitha sipërmarrjet dhe bankat e tjera që të bëhen pjesë e kësaj fushate të madhe për ndërgjegjësimin jo vetëm të nxënësve, të rinjve e të rejave, por të të gjithë shoqërisë”,  tha ministrja.

Top Channel