Shqiptarët totalisht të pambrojtur , si u shkatërruan vendstrehimet e dëmtuara gjatë komunizmit

23/03/2022 23:01

Nëse Shqipëria sulmohet ushtarakisht, atëhera aktivizohet neni 5 i Traktatit të NATO-s që konsiderohet si agresion ndaj 30 anëtarëve të aleancës. Kjo i jep mbrojtje Shqipërisë por deri në aktivizimin e nenit 5 për ndërhyrjen e aleancës, kërkohet mbrojtje nga strukturat shqiptare. Nuk dihet nëse Shqipëria po mendon një strategji mbrojtje nisur nga zhvillimet e fundit. Minsitria e Mbrojtjes është treguar tepër hermetike me informacionet duke i konsideruar sekrete. Shqipëria duket e papërgatitur edhe për shpëtimin e jetëve njerëzore. Sot, vendstrehimet e ndërtuara gjatë regjimit komunist për raste lufte janë degraduar totalisht.

Dikur në qytetet e Shqipërisë u ndërtuan tunele nëntokë në afërsi të pallateve me të gjitha kushtet për të mbijetuar në raste sulmesh ushtarake. Por sot, ato janë mbushur me mbeturina, janë shkatërruar dhe akoma më keq, mbi to janë ndërtuar pallate.

Një pjesë e vendstrehimeve që janë ndërtuar për qytetarët në rast agresioni janë shndërruar në muze, lokale, disko, dyqane e gjithëfarë biznesesh. Pak ose aspak vendstrehime i kanë mbijetuar kohës. Por, ato duhen pastruar, duhen riparuar sistemet e ajrimit dhe duhen bërë gati me infrastrukturën e nevojshme. Ato kanë mbetur në mëshirën e fatit mes ferrave dhe plehrave.

Ekspertët thonë Vendstrehimi i Korçës është në gadishmëri dhe është një model pozitiv në këtë drejtim. Po ashtu edhe Fieri ka një vendstrehim të mirë përsa i përket popullatës.
“Por edhe popullsia mund të vihej të pastronte vendstrehimet me bashkitë për të motivuar njerëzit sepse çdokush e do jetën” u shpreh ish-zyrtari i policisë, Shemsi Prençi.

“Pa panik duhet të shikojmë sistemin e mbrojtjes. Suedia pavarësisht se është neutrale përsa i përket aleancës ka provuar sistemin e alarmit. Ne duhet të përgatisim popullsinë. Sistemin e alarmit të lajmërimit ne nuk e kemi. Duhet të merren masa për pastrimin e vendstrehimeve. Në të gjitha zonat urbane ka patur bodrume, parkimet janë të përshtatshme për strehimin e popullsisë. Pushteti lokal duhet të marrë masa që vendstrehimet që janë duhet ti vendosë në eficencë” u shpreh Artur Meçollari, ish-komandant i Forcës Detare.

Top Channel