Shqipëria ka në Kushtetutë të shkruar detyrimin për ti ardhur në ndihmë shqiptarëve kudo që jetojnë.

Si vendi amë që ka detyrimin ndaj shqiptarëve në Ballkan, i del si detyrë të unifikojë qëndrimin e përbashkët të të gjithë faktorëve shqiptarë dhe të shmangin provokimet destabilizuese.
Por në ç’gjendje është ushtria shqiptare sot, pas 3 dekadash ku qeveritë janë kujdesur për demontimin e municioneve dhe nxjerrjen për skrap të aviacionit, tankeve dhe artilerisë në tërësi…
Këto që shihni nuk janë luftime të vërteta. Batalioni i këmbësorisë i Forcave të Armatosura zhvilloi një stërvitje 3-ditore në zonën e Vithkuqit gjatë muajit Shkurt të vitit 2022. Për ironi, kjo stërvitje e një ushtrie modeste si Shqipëria u zhvillua vetëm 1 javë para agresionit rus në Ukrainë. Mjetet e blinduara që marrin pjesë në këtë stërvitje, janë ndër mjetet më të rëndësishme të ushtrisë shqiptare sot. Dikur, Shqipëria zotëronte mbi 200 avionë luftarakë dhe sot numëron vetëm disa helikopterë. Nga flota e dikurshme me 4 nëndetëse, sot Shqipëria zotëron disa anije të vogla ushtarake që nuk kanë kapacitete të rëndësishme operacionale luftarake.
Deri në vitin 1990 Shqipëria ka pasur 300 mijë forca të armatosura bashkë me rezervistët. Sot, vendi nuk mbërrin as 10 mijë forca të armatosura, të cilët janë të keqpaguar. Ndërkohë, shërbimi i detyruar ushtarak është hequr.
“Ne themi mbrojtja, mbrojtja dhe kjo më kujton shprehjen e dikurshme që ne dhe populli vëlla i Kinës jemi sa gjysma e botës. Është edhe fryma. Unë jam rritur në botën e forcave të armatosura. Janë ndër sektorët më të keqtrajtuar në 30 vitet e fundit. Nuk mund të kujtohemi për ta vetëm ditën kur dikush nga ana tjetër e Europës na kërcënon me Luftë Botërore” u shpreh analisti, Ilir Kulla.
“Unë nuk kam parë ndonjë përgatitje të qeverisë shqiptare dhe në mënyrë të veçantë të Ministrisë së Mbrojtjes parë në këndvështrimin e zhvillimit dhe precipitimit të luftës. Ne jemi vend anëtar i NATOS, por përveç detyrimeve që ka ajo, Shqipëria ka detyrime për mbrojtjen e Republikës së vetë” u shpreh ish-zyrtari i policisë, Shemsi Prençi.

Top Channel