Para se të niste lufta Rusi-Ukrainë, kur në vendin tonë nafta shitej për rreth 180 lekë mesatarisht, për të mbushur makinën plot paguaja rreth 5 400 lekë.
Ndërsa sot, kur çmimi i naftës ka kapërcyer 220 lekë për litër, paguaj për të njëjtën sasi 1 200 lekë më shumë, pra gati 6 600 lekë prej shtrenjtimit të fortë të karburanteve.”
Por, në harkun e dy ditëve, çmimet kanë ndryshuar sërish. Qytetarët do ta blejnë 12 lekë më shtrenjtë të mërkurën, pasi me vendimin e ri të Bordit nafta u rrit në 233 lekë deri në 25 mars.
Bordi e justifikon këtë rritje me luhatjet e bursave, pasi sipas tij prej 16 marsit çmimi i naftës për ton është rritur me 231 dollarë.
Që çmimet të kthehen në nivelet e para luftës sipas ekspertit Pano Soko, bursa duhet të zbresë në rreth 80 dollarë për fuçi. Në të kundërt shton ai, asnjë vendim bordi nuk do t’ia dalë t’i mbajë të ulëta për aq kohë sa nuk ndërhyhet në taksa.
“Nuk do të ulet çmimi i naftës nëse të gjithë përbërësit e çmimit të naftës janë njëlloj. Qeverisë iu kërkua një çmim i ulët nafte dhe çmimi i ulët i naftës. Ky nivel çmimi kaq i lartë nuk do të ulet asnjëherë nëse ne nuk ndërhyjmë në taksa. Po nuk ulëm taksat, nuk ulet çmimi sepse bursa nuk lëviz se nuk e kemi ne në dorë. Për nivelet e para luftës konsideroj për nivelin e diesel 180 lekë litri, bursa Brent pra ajo që ne shohim si referencë duhet të shkojë në 70-80 dollarë për fuçi në mënyrë që çmimi të rikthehet sërish te ai rendi 170-180 lekë që ne kemi pasur më përpara.”
Edhe benzina u rrit me 7 lekë këtë të mërkurë, por me gjithë shtrenjtimin po shitet më lirë se nafta që prej të martës duke arritur në 218 lekë. Soko e shpjegon këtë ulje çmimi me rritjen e stoqeve të benzinës.
“Pavarësisht se ka një trend historik që nafta qëndron gjithmonë poshtë benzinës edhe për shkak të kostove, natyrisht që stoqet mund të kenë ndikuar që çmimi i benzinës të jetë pak më i lirë duke qenë se janë mbledhur më shumë stoqe benzine sesa nafte dhe kërkesë-oferta ka ndikuar te çmimi bursës së derivative. Janë anomali që ndodhin herë pas here, por sërish do kthehet në normalitet.”
Prej gati një jave nafta në bursat ndërkombëtare ka kapërcyer 100 dollarë për fuçi dhe në rast se kjo rritje vijon, nafta vështirë të zbresë poshtë 200 lekë litri në vendin tonë.
Top Channel