Deputetët do të kontrollojnë çmimet në terren

23/03/2022 15:11

Mos u habisni nëse ditët në vazhdim do të shikoni deputetët socialist nëpër supermarkete, jo duke blerë produkte ushqimore por duke biseduar me qytetarët për çmimet.

Krahas kryeministrit Edi Rama dhe ministrave, në terren për të shpjeguar, paketën e rezistencës sociale do të jenë edhe deputetët e grupit parlamentar socialist. Ky ishte vendimi i marrë në mbledhjen e grupit.

Deputetët e grupit parlamentar të PS-së do t’i bashkohen ministrave në punën e përditshme për të verifikuar masat e ndërmarra nga qeveria përmes grupeve të kontrollit të respektimit të çmimeve të karburanteve apo produkteve ushqimore, që të mos i lëmë hapësirë asnjë abuzuesi për të përfituar në kurriz të qytetarëve shqiptarë. Grupi parlamentar i PS-së nuk mund të jetë i përjashtuar nga një agjendë intensive kontrolli në më shumë 300 njësi administrative në të gjitha bashkitë në mënyrë që këto masa të marra të zbatohen”, tha Balla.

Ne, tha Taulant Balla jemi të vendosur të miratojmë edhe aktet e fundit normative me fuqi ligji të qeverisë për këtë situatë ku ndodhemi por edhe të debatojmë me opozitën në kuvend.

Nesër do të kemi në Kuvend një mocion me debat të propozuar nga Alibeaj. Kemi dakordësuar modalitetet e zhvillimit të këtij debati, një debat që do të zgjasë 3 orë. Ne duam që debatin, konsultimet, diskutimet t’i bëjmë direkt në terren me njerëzit që na kanë dhënë besimin. Ndaj me të mbaruar seanca, gjithë deputetët e PS-së do të jenë në territor për të ndjekur implementimin e Paketës së Rezistencës Sociale”, u shpreh deputeti.

Këtij debati në kuvend do ti mungojë kryeministri Edi Rama, pasi të enjten do të marrë pjesë në Bruksel, në një samit të jashtëzakonshëm të NATO-s për Ukrainën.

Top Channel