Ministrja Kushi lançon projektin e ri “Sport Për Të Gjithë” në mbështetje të nxënësve me aftësi ndryshe

22/03/2022 12:30

Ministria e Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Special Olympics Albania dhe Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) kanë nisur projektin “Sport Për Të Gjithë”, i cili synon angazhimin dhe mbështetjen e nxënësve me aftësi ndryshe në sistemin arsimor.

“Në kuadër të strategjisë së arsimit gjithëpërfshirës dhe parimit të sportit gjithëpërfshirës, pata kënaqësinë të nënshkruaj një marrëveshje të re me Special Olympics Albania dhe Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar për projektin ‘Sport Për Të Gjithë'”, shkruan ministrja Kushi në rrjetin e saj social.

Projekti përfshin të gjithë nxënësit me aftësi ndryshe që janë në sistemin arsimor parauniversitar, duke i angazhuar në një konkurrim nëpërmjet turneve rajonale në 5 disiplina sportive, Futboll, Basketboll, Atletikë, Ping-pong dhe Not.

Gjithashtu, ky projekt mbështet me bazë materiale sportive shkollat gjithëpërfshirëse, shkollat speciale dhe qendrat që kujdesen për personat me aftësi të kufizuara intelektuale, me qëllim përmirësimin e përgatitjes fizike dhe llojshmërisë së disiplinave sportive.

Top Channel