Kapanonet me pula të infektuara e të ngordhura rrezikojnë punonjësit, Ministria e Bujqësisë ende asnjë urdhër për asgjësim

22/03/2022 10:33

Kapanonet me pula të infektuara e të ngordhura po kthehen në një rrezik për shëndetin e punonjësve dhe personelit të stabilimentit në Xhafzotaj të Durrësit, ndërsa Ministria e Bujqësisë nuk ka nxjerrë akoma urdhrin për asgjësimin e shpendëve.

Në mungesë të këtij urdhri që është detyrim ligjor i ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural stafet ndjehen të rrezikuara për shëndetin e tyre, ndërsa vazhdojnë të nxjerrin pula të ngordhura për t’i groposur dhe nuk mund të bëjnë asgjësimin e pulave të infektuara pa një urdhër nga ministria.

Në qershor të vitit 2021 ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi ka miratuar planin e kontigjencës për influencën aviare, bazuar në legjislacionin tonë, konkretisht në ligjin ”Për shërbimin veterinar” dhe urdhrin për miratimin e rregullores mbi gjurmimin dhe luftimin e sëmundjes së IA në shpendë.

Pavarësisht kësaj situate emergjente dhe konfirmimit zyrtar në fundjavë të dyshimeve për IA, reagimet e ministrisë së Bujqësisë dhe strukturave vartëse nuk kanë qenë në përgjigje të kësaj situate kritike që ka futur në karantinë tre stabilimentet më të mëdha në vend për mbarështimin e shpendëve.

Ndërkohë dhe rregullat e karantinës ka dëshmi që janë shkelur e vijojnë të shkelen, ndërsa dhe procesi i groposjes që po vijon nuk është konform standardeve të kërkuara për të siguruar izolim të virusit që tenton të forcohet teksa përhapet.

Rregullat përcaktojnë qartë dhe detyrimin për të deklaruar sëmundjen në mënyrë që reagimi të jetë i shpejtë për luftimin e sëmundjes brenda vatrave të saj.

Nxjerrja e urdhrit të asgjësimit është shumë e rëndësishme për menaxhimin e duhur të situatës dhe parandaluar pasojat e mëtejshme të sëmundjes infektive influenca aviare që rezulton të jetë përhapur gjerësisht dhe në fshatrat përreth stabilimenteve, ku fshatarët blejnë zakonisht zogj për mbarështim në oborret e tyre, por edhe ushqim për pulat.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA