75 mijë pula janë groposur në fshatin Metallaj të Shijakut. Duke qenë se numri i pulave të ngordhura nga gripi i shpendëve është tepër i lartë, një tjetër gropë për asgjësimin e tyre është duke u hapur.
Pas 5 ditësh, Ministria e Bujqësisë, pushteti lokal dhe inspektoriati i mjedisit vendosën që vendi i asgjësimit të bëhej në këtë fshat. Por gripi i shpendëve nuk largohet kaq lehtë. Pas groposjes, drejtuesit e pularive kërkojnë një urdhër të menjëhershëm nga Ministria e Bujqësisë për të asgjësuar pulat e gjalla që kanë mbetur në kapanone, me qëllimin e vetëm që ky infeksion të mos përhapet më tej.
“Në kapanone ne kemi pula të gjalla, të cilat janë me grip dhe nuk mund të eliminojmë pa urdhër të Ministrisë së Bujqësisë, është absurd se pse po vonohen këto procedura ndërkohë që duhet të ishin bërë që në fillim”, thotë menaxheri i pularisë “AIBA”, Artan Luku.
Gripi i shpendëve preku 3 pularitë më të mëdha të vendit. Por nga vëzhgimi që ka bërë Top Channel, rastet e supermarketeve të Tiranës janë të mbushura me vezët e këtyre kompanive.
“Pula s’ka, vezë po. Këtë duhë të hetojë AKU që të kuptojë se nga vijnë këto vezë”.
Por sa të sigurta janë vezët që gjejmë në supermarket? Përgjigjen e kësaj pyetje duhet të na e japë AKU, ku ky institucion duhet të tregojë për cilësinë e vezëve dhe origjinën e tyre.
Top Channel