Franca pranon të diskutojë autonominë e Korsikës pas protestave të dhunshme (fotot)

22/03/2022 17:46

Ministri i brendshëm francez Gérald Darmanin tha se vendi i tij është i gatshëm për të diskutuar për “autonominë” e Korsikës pas protestave të dhunshme të ditëve të fundit.

Darmanin ishte në ishullin mesdhetar javës që shkoi në përpjekje për të shuar tensionet e protestave anti-qeveritare, te cilat që nisën kur një aktivist i njohur pro-pavarësi i burgosur, u sulmua rëndë në një burg në Francë.

Darmanin u talkua me drejtuesit e zgjedhur në Korsika dhe premtoi “një raund të paprecedentë diskutimesh” për zgjidhjen e çështjes.

“Jemi gati të shkojmë deri te autonomia, ja ku e thashë fjalën,” tha ai në një intervistë me Corse Matin.

Gilles Simeoni, kreu i këshillit ekzekutiv të ishullit mirëpriti ofertën por tha se “fjalët e  Darmanin duhet të ndiqen me veprime konkrete”.

Zemërimi në Korsikë shpërtheu kur aktivisti i pavarësisë së ishullit Yvan Colonna, i dënuar për vrasje, u sulmua në një burg në Arles, në Francën kontinentale.

Colonna  po kryen dënim të përjetshëm për vrasjen në vitin 1998 të prefektit francez Claude Érignac – I burgosuri ka mbetur në gjendje kome, pasi u sulmua nga një tjetër i burgosur, thonë autoritetet në Francë.

Studentë, sindikata dhe grupe nacionaliste në Korsikë kanë akuzuar Parisin për sulmin, pasi Colonna apelonte prej kohësh për të kryer dënimin në ishull.

Deri disa muaj më parë Franca i kishte caktuar atij statusin e “të burgosurit me interes të veçantë” por heqja e kësaj nuk ka qetësuar protestuesit.

Më shumë se 100 njerëz, duke përfshirë dhe 77 oficerë policie janë plagosur në përleshjet e ashpra të protestuesve në Bastia, qendra e ishullit.

Darmanin ka pranuar një pjesë të përgjegjësisë së shtetit për sulmin ndaj  Colonna, por tha se kritika e protestave ishte “e tepruar”.

Vendimi për të zbutur kontrollin historik të Francës ndaj Korsicës, ishulli mesdhetar me 330,000 banorë, do të ishte diçka e paprecedentë.

Aktivistët kërkojnë që Franca të lejojë më shumë kontroll të ishullit për taksat, gjuhën e punësimin.

Kandidati presidencial francez Yannick Jadot tha më herët se është në favor të “autonomisë së plotë të Korsikës”, ndërsa kandidatja e djathtë Marine Le Pen tha se ishulli “duhet të mbetet francez”, sipas Euronews.

FOTO GALERI
1/5
Protestat anti-qeveritare, nisën kur një aktivist i njohur pro-pavarësi i burgosur, u sulmua rëndë në një burg në Francë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA