Basha pas dorëheqjes kujton zgjedhjet e 30 viteve më parë kur fitoi PD-ja: Rrugëtim i vështirë me suksese dhe dështime

22/03/2022 11:00

Ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka kujtuar sot zgjedhjet e 30 marsit 1992, kur në pushtet erdhi Partia Demokratike. Këtë ditë, Basha e quan ditën e parë të demokracisë.

30 vjet më parë shqiptarët zgjodhën Partinë Demokratike, zgjodhën të ardhmen dhe fituan lirinë dhe demokracinë, duke përmbysur një herë e përgjithmonë diktaturën komuniste”.

Rrugëtimin e së djathtës, Basha e konsideron të gjatë dhe të vështirë, “me suksese që kanë shënuar për mirë jetën e shqiptarëve, dhe dështime që na kanë ndarë nga ajo shumicë dërrmuese shqiptarësh që në 1992-shin i dhanë jetë ëndrrës për një Shqipëri europiane”.

Një ditë pasi dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike, Basha shkruan se demokratët sot “meritojnë dhe do të kenë një Parti Demokratike të fortë, parimore, në krah të njerëzve dhe të aleatëve strategjikë, e gatshme për t’u përballur dhe për të fituar mbi të keqen që i ka zënë frymën vendit”.

Të hënën, në mbledhjen me grupin parlamentar dhe kryesinë, Basha tha se ka marrë vendimin të bëjë hap pas duke u tërhequr nga posti por do të vazhdojë të punojë për ringritjen e PD dhe bashkimin e demokratëve, por në asnjë moment nuk e përmendi Berishën.

Top Channel