Shërbimi epidemiologjik në Durrës ka nisur vlerësimin shëndetësor dhe analizat te punonjësit e pularive të prekura nga sëmundjet infektive në Durrës, ndërkohë që është bërë dhe dezinfektimi i zonës përreth në stabilimentet në Xhafzotaj për të shmangur përhapjen e virusit.
Situata e krijuar nga ngordhja masive e pulave në disa nga stabilimentet e mbarështimit të tyre në Durrës ka vënë në lëvizje prokurorinë e rrethit të Durrësit e cila ka kërkuar nisjen e verifikimeve për praktikat e ndjekura nga subjektet në lidhje me karantinimin. Në bazë të legjislacionit tonë penal, shkelja e rregullave të karantinës konsiderohet vepër kundër mjedisit dhe ajo përbën kundërvajtje penale që dënohet me gjobë, nëse provohet se ka sjellë pasoja të rënda materiale ose që rrezikojnë jetën e shëndetin e njerëzve.
Ndonëse sot është një ditë pushimi, Prokuroria e Durrësit i ka kërkuar policisë të sekuestrojë dokumente mbi praktikën që është ndjekur pas rasteve të konstatuara për ngordhjen e shpendëve në tri prej fermave të Durrësit mbi bazën e të cilave do të vendoset nëse janë respektuar protokollet e karantinimit dhe bllokimit të depërtimit të produkteve të shpezëve në treg në rastet kur ato preken nga sëmundje infektive.
Ndërkohë dhjetra mijëra pula të ngordhura vazhdojnë të jenë të paasgjësuara dhe qëndrojnë në ambient të hapur duke iu nënshtruar dekompozimit dhe shkaktuar ndotje mjedisore. Në këtë mënyrë rrezikohet përhapja e mëtejshme në ajër e virusit dhe infektimi i shpezëve të tjera në zonë. Sot pranë stabilimenteve kanë qenë dhe inspektorë të shërbimit veterinar dhe mbrojtjes së bimëve, por që nuk pranuan të flasin pasi ”nuk janë të autorizuar”. Fundjava e gjatë ka krijuar, sipas burimeve në një prej stabilimenteve të prekura, një reagim të vakët institucional në lidhje me këtë situatë, që, sipas tyre, kërkon ndërhyrje të shpejtë dhe zgjidhje të menjëhershme.
Ndërkohë një tjetër stabiliment në Borç të Manzës dhe pse është në karantinë, dyert i ka të hapura. Shiriti mungon dhe nuk ka asnjë njoftim për ndalimin e hyrjes brenda stabilimentit në karantinë, as masa për dizinfektimin e mjeteve që hyjnë në të.
Mjeku i stabilimentit na kërkon të dalim menjëherë jashtë pasi kemi thyer karantinën, raporton gazetarja e Top Channel Vali Qyrfyçi, pavarësisht se asnjë shenjë dalluese apo penguese nuk e dëshmon që kjo fermë është nën karantinë.
Një ditë më parë, Ministria e Bujqësisë konfirmoi dyshimet për gripin e shpendëve të tipit H5N8 në njërin prej stabilimenteve, të cilat po përballen dhe me një situatë të rëndë ekonomiko-financiare, ndërsa kanë marrë masa të larta sigurie për punonjësit e tyre, në pritje dhe të analizave për punonjësit e tyre. Të dhënat e para për ngordhjen masive të pulave i përkasin fundit të muajit shkurt, megjithatë publike situata u bë vetëm në mesin e muajit mars, ndërsa në treg, gjatë kësaj periudhe ka pasur furnizim të bollshëm me produkte të kompanive që po përballen me këtë situatë të rëndë.
Ndërsa kompanitë po përballen me një situatë katastrofike, indiferenca e strukturave shtetërore në kushtet e një pandemie së cilës i mbivendoset edhe situata e gripit të shpendëve konsiderohet absurde.
Top Channel