Mijëra fermerë nga e gjithë Shqipëria janë futur në “garë” për të përfituar nga skemat e rimbursimit, që nga nafta, serat, apo kompensime për lopë dhe delet. Megjithatë, duke pasur një numër të madh aplikimesh, jo të gjithë do të fitojnë, teksa në këto skema “fitojnë” ata që aplikojnë të parët apo më të pasurit.
Skemat janë bërë përjashtuese për një numër të madh fermerësh, për ata që kanë probleme familjare me pronat, për ata që kanë më pak se 10 lopë, apo më shumë se 50 lopë, për ata që kanë më pas se 100 dele e dhi apo ata që kanë më shumë se 300 dele apo dhi.
Nëse një fermer do që të fitojë skemën e ndërtimit të një sere të re, ai duhet të ketë të paktën 100 milionë lekë të vjetra, pasi shteti ka vënë një dysheme për ndërtimin e 1 hektari me serë. Por, shteti rimburson vetëm 50 përqind të vlerës, pasi 50 % e vlerës tjetër duhet ta ketë fermeri. Kjo skemë favorizon totalisht ata më të pasurit, apo biznesmenët, dhe jo fermerët e thjeshtë!
Megjithatë, skema më e përhapur këtë vit është rimbursimi i naftës, apo nafta falas! Para disa muajsh, kryeministri Edi Rama tha se janë hapur skemat e naftës falas, ku është vendosur një fond limit për përballimin e rimbursimit të fermerëve. Skema është hapur në datën 25 shkurt 2022 dhe aktualisht afati i mbylljes është shtyrë në datën 30 mars 2022. Por, duke qenë se aplikimi ka një afat, qindra mijë fermerë i janë drejtuar zyrave të bujqësisë në rrethet e tyre për të aplikuar.
Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” mbërritën disa video nga zyrat në Lushnje dhe Fier, ku qindra qytetarë qëndronin në radhë për të aplikuar. Pas ankesës, gazetarët e emisionit investigativ shkuan fillimisht në qytetin e Lushnjes, qytet i cili ka numrin më të madh të aplikimeve në Shqipëri. Gazetarët shkuan në orën 07.30, ku gjetën dhjetëra fermerë para derës së drejtorisë. Fermerët thanë se kanë që në orën 06.00 që kanë shkuar në këto zyra, duke qenë se krijohet radhë e madhe. Ata ankohen se po bëjnë disa ditë duke u marrë me letra, sa te Drejtoria e Bujqësisë, sa te Tatimet apo në Njësitë Administrative. Madje, duhet të plotësojnë dhe skanojnë një sërë dokumentesh që nga certifikata apo AMTP-ja e pronës, një deklaratë familjare, vërtetime nga taksat apo aplikime për numra NIPTI. Këto dokumente janë të ngjashme me ato që bëjnë qytetarët për të hapur një biznes!
“Kam tre ditë që sorollatem sa andej e këndej. Pse nuk e di Komuna sa tokë kam unë, ata më marrin taksat e tokës. Pse nuk i bëjmë atje, po duhet të vijmë në këtë drejtori” thotë njëri prej tyre, ndërsa një tjetër pohon se disa fermerë qëndrojnë te hyrja kryesore dhe të tjerë “futen nga dera mbrapa”.
Për këto radhë apo sorollatje, gazetarët e Fiks Fare biseduan me z. Eltinor Mahmutaj, i cili është drejtor i AREB, Lushnje, i cili mbulon tri qarqe, Fierin, Vlorën dhe Gjirokastrën. Ai thotë se nafta është falas.
Por, jo falas për arkat e shtetit! Sipas një dokumenti që disponon Fiks Fare, Ministria e Bujqësisë ka hapur deri më tani një tender me objekt “blerje karburant për skemën e rimbursimit të fermerëve” me fond 6.5 milionë euro. Tenderi, sipas dokumenteve, duhej të zhvillohej në datë 11 mars. Por, me rritjen e çmimit, deri më tani s’ka asnjë informacion nëse është bërë apo jo ky tender. Në dokumentet shoqëruese, Ministria e Bujqësisë kërkon 4.8 milionë litra për 12 qarqe në Shqipëri.
“Kanë aplikuar mijëra persona dhe, pas aplikimeve do të shikojmë dhe verifikojmë çdo emër” thotë drejtori, ndërsa justifikohet se në godinën në Lushnje s’ka radhë. Por, një prej fermerëve ndërhyn dhe i thotë se ka 3 ditë në radhë dhe ende s’ka marrë shërbim!
Pas situatës në Lushnje, gazetarët e Fiks Fare, udhëtojnë në Agjencinë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor në Fier, ku sërish ka me dhjetëra persona që qëndrojnë në radhë. Në këtë drejtori, një ditë para se kamera e Fiksit të shkonte, qindra persona qëndronin jashtë godinë për të marrë shërbim. Fermerët thanë se kanë shkuar në disa institucione për të hapur numra nipti, aplikime. “Edhe vjet aplikuam po s’morëm gjë. Na lanë thatë. Edhe sivjet, s’dimë gjë sa do na japin” thonë ata, teksa mbajnë radhën.
Gazetarët pyetën z.Eltinor Mahmutaj se çfarë skemash janë hapur aktualisht dhe a përfitojnë të gjithë. Drejtori i Agjencisë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor Fier, Vlorë dhe Gjirokastër tha se janë hapur 13 skema, për sera të reja, për rimbursime për dynymë serash apo edhe për lopë e dele. I pyetur se blegtor përfiton, ai tha se ata me 10 deri në 50 lopë. Përjashtohen ata që kanë më pak se 10 lopë dhe më shumë se 50 lopë. Për delet dhe dhitë tha se përfitojnë ata nga 100-300 krerë. Përjashtohen ata që kanë më shumë apo më pak. Por, kjo skemë ka edhe një veçori, që përfitojnë ata që aplikojnë të parët. Një “lotari” për blegtorët, por që drejtori Mahmutaj thotë se “duke qenë se ka një fond, nëse ezaurohet ky fond, atëherë skema quhet e përfunduar”. Por, një skemë e ngjashme mund të jetë edhe për aftën, pasi deri më tani, qeveria ka akorduar 14 milionë USD. Dhe, nëse ezaurohet ky fond, atëherë të tjerët përjashtohen.
Por, krahas këtyre fondeve, qeveria ka akorduar të tjera miliona euro për sisteme, që nuk shkojnë te fermerët, por janë pjesë e “fondeve të bujqësisë”. Para pak ditësh, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, ka hapur një tender me objekt “përmirësimi i sistemit të menaxhimit të informacionit për programin IPARD”, për AZHBR me fondet e Buxhetit të Shtetit. Sipas këtij dokumenti, fondi limit është 2.1 milionë euro pa TVSH. Tenderi do të zhvillohet në datë 8 prill, ndërkohë që do të implementohet për 9 muaj!
Top Channel