Elezi dhe Kulluri: Komisioni i Rithemelimit dhe PD të ulen në një tryezë

21/03/2022 10:23

Demokratët Ibsen Elezi dhe Edvin Kulluri gjatë konferencës për shtyp të mbajtur këtë të hënë u bënë thirrje demokratëve që të mbajnë qëndrimin e tyre ndaj dy iniciativave që po e përçajnë PD-në.

Komisioni i Rithemelimit dhe PD duhet të ulen në një tryezë dhe të bisedojnë për situatën dhe të gjejnë një zgjidhje për krizën që ka përfshirë Partinë Demokratike, theksuan të dy.

“Do japim kontributin tonë, jemi të gatshëm për bashkimin e PD nëse ka vullnet nga të dyja palët”, tha Kulluri.

“Duhet të ulemi menjëherë”, tha Elezi.

 “Unë kam qenë gjithmonë i qartë se mua më bashkon rrugëtimi politik, ne s’kemi qenë shokë, por na ka bashkuar rrugëtimi politik, e shoh konsekuent. Përçarje do të ketë gjithmonë, do të kemi edhe unë me Kullurin, por nuk do të thotë të kesh përçarje për pikëpamjet apo të kodit moral. Ne jemi këtu për shkak të mungesës së vullnetit të tyre për t’u larguar. përplasja politike është shumë pak e ashpër në krahasim me atë që duhet të jetë”, tha Elezi.

“Demokratët duan një parti, morali politik i çdo njeriu është përgjegjësi personale, ne nuk kemi bërë tregti, nuk kemi bërë ndonjëherë pazare në kurriz të parimeve. Rezultati i 6 marsit tregoi se ashtu si viti 2021 humbën përballë Edi Ramës, më duket e çuditshme për zgjedhje të parakohshme sepse më duket nxitim për t’i dhënë mandatin e katërt Edi Ramës. Si do të përballemi ne, nuk përballemi, është garë e humbur pa nisur akoma”, tha Kulluri.

“Sot kemi dalë për t’i bërë thirrje demokratëve për të mbajtur qëndrimin e tyre ndaj dy iniciativave që po e përçajnë PD-në. Do presim reagimin, ka nevojë urgjente për një tryezë të përbashkët të të gjitha palëve edhe nga Grupi i Rithemelimit dhe nga zoti Basha. Nëse do të kërkojnë nga ne të dy për të gjetur një zgjidhje do ta bëjmë”, shtoi Kulluri.

“Duhet të ketë ballafaqim të tyre dhe garë me debat të dy figurave”, u shpreh Elezi.

“Në zgjedhje vihet përmes votës, jo përmes revolucioneve, e djathta kërkon reformim. 6 marsi tregoi se Komisioni i Rithemelimit dhe Basha nuk arritën të merrnin as bashkë 50+1, jo më veç e veç”, tha Kulluri.

Deklarata e Ibsen Elezit dhe Edvin Kullurit

Partia Demokratike ndodhet në një krizë identiteti tashmë, ndërsa dhanë dorëheqjen nga postet që mbanin në PD Grida Duma, Agron Gjekmarkaj dhe Flutura Açka.

Kryedemokrati Lulzim Basha tha mw parw se ndodhet nw njw proces të thellë reflektimi dhe se është gati të ndërmarrë çdo veprim në interes të PD-së.

Ai theksoi se mbledhjet në parti do të vijojnë, ndërsa të gjithë do të marrin përgjegjësitë për humbjen e thellë në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit, duke nisur nga ai vetë.

Ende nuk dihet nëse do të ketë largime të tjera në vijim, ndërsa shumica e mbështetësve të Bashës, pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 6 marsit, po i kërkojnë atij dorëheqjen.

Tashmë nuk ka vetëm një lëvizje të jashtme jashtë PD-së me në krye liderin historik, Sali Berisha, por edhe një lëvizje të brendshme.

Kreu i PD-së vijon të mos pranojë humbjen e thellë në zgjedhjet e pjesshme vendore, ku jo vetëm nuk mundi të marrë asnjë bashki, por u rendit forcë e tretë me më pak vota se koalicioni i Sali Berishës me LSI-në dhe PDK-në.

Zgjedhjet e 6 marsit kishin një vlerë të madhe për elektoratin demokrat, ku pritej të tregohej mbështetja e demokratëve të cilët prej muajsh tashmë janë ndarë në dy fronte, ata që mbështesin Bashën dhe grupi mbështet Berishën.

Partia Socialiste arriti të merrte pesë nga gjashtë bashkitë në garë, Vorën, Rrogoshinën, Dibrën, Lushnjën dhe Durrësin, ndërsa koalicioni “Shtëpia e Lirisë” fitoi në Shkodër.

 

Top Channel