Spiropali viziton një prej marketeve në Tiranë: Nuk e nisëm ne këtë luftë, por duhet ta menaxhojmë sa më mirë

20/03/2022 17:15

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ishte në vizitë në një prej marketeve të Tiranë, ku pa nga afër çmimet pas ngritjes së bordit të monitorimit nga qeveria.

Spiropali theksoi se kjo është situatë e vështirë dhe do ta menaxhojnë sa më mirë me mirëkuptimin e tregtarëve dhe qytetarëve.

Spiropali: Kohët nuk janë më të mirat e mundshme. Nuk e nisëm ne këtë luftë por pasojat po i ndjejmë dhe ne dhe në këtë situatë duhet ta menaxhojmë sa më mirë dhe kërkojmë edhe mirëkuptimin e qytetarëve.

Menaxherja: Kemi marrë masa për rezerva që të mos ketë as panik tek klientët sepse deri diku na kapi të papërgatitur.

Spiropali: Të gjithë na kapi pa përgatitur se kujt ia mori mendja që Rusia do të bënte krime lufte.

Menaxherja: Çmimet i kemi mbajtur njësoj.

Spiropali: Ju përgëzoj për këtë. Qeveria e ka seriozisht transparencën, ama këto janë kostot, marzhet minimale të fitimit. Ne kemi vënë garanci për tregtarët që në periudhën afatmesme të mos ketë mungesa dhe më pas çmimi të monitorohet. Produktet e shportës, nafta dhe energjia janë thelbësore. Për energjinë, 80% për familjet dhe biznesin e vogël mbulohet nga qeveria dhe e konsiderojmë masë të rëndësishme për nivelin e jetesës. Besoj jeni në dijeni që 30 mijë lekë të vjetra do të jenë për pensionistët që janë më të ndjeshëm ndaj rritjes së çmimeve. Rritja e pagës minimale fillon me 1 prill. Do kërkojmë bashkëpunimin tuaj.

Menaxherja: Dhe ne do ju suportojmë.

Spiropali: Neve na keni në krah.

Top Channel