Serbia do të mbajë zgjedhjet presidenciale më 3 prill. E procesin po synon ta organizojë edhe në Kosovë.

Madje është shtuar edhe presioni ndërkombëtar për lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka kërkuar të gjenden modalitete për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale të Serbisë edhe në Kosovë. Sipas tij, kjo i hapë rrugën takimeve në nivel më të lartë negociatorësh në kuadër të procesit të dialogut.

Kosova ka disa alternativa që u mundëson qytetarëve të saj serbë me dy shtetësi të votojnë në këto zgjedhje.

 “Karakteristikat e marrëdhënieve tona me Serbinë janë të ndryshme me të vendeve të tjera, andaj si të tilla, do të mund të gjendeshin modalitete, qoftë votimi në kufi, votimi në ambasada apo në pikën diplomatike të Serbisë në Kosovë”, Eugen Cakolli, Instituti i Kosovës për Demokraci.

Megjithatë, kjo mund të bëhet vetëm nëse ka kërkesë nga ana e Serbisë drejtuar institucioneve të Kosovës. Qeveria deri më tani nuk ka marrë ndonjë vendim për lejimin ose jo të zgjedhjeve serbe edhe në territorin e Kosovës.

Megjithatë, që nga 2012-ta, OSBE ka asistuar në zgjedhjet e shtetit serb që mbaheshin në Kosovë. Nga zyra e këtij misioni, thonë që janë të gatshëm përsëri të mbledhin votat, në rast se ka marrëveshje mes Prishtinës e Beogradit.

Në janar, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës me një vendim ndaluan mbajtjen e referendumit për ndryshime të Kushtetutës së Serbisë në territorin e Kosovës. Nga institucionet, serbëve të Kosovës iu rekomandua të votojnë me postë ose edhe në zyrën ndërlidhëse me Serbinë.

Top Channel