Kryeministri Edi Rama këtë të shtunë në një takim me fermerët duke prezantuar Paketën e Rezistencës Sociale, deklaroi se Qeveria nuk do ta ulë taksën e naftës, por për fermerët do të ofrohen 500 milionë lekë plus për naftën pa taksa, për një total prej 1.45 miliardë lekësh.
Kryeministri ka sqaruar dhe logjikën se përse nuk hiqet taksa e naftës. Sipas tij kjo nuk mund të bëhet sepse nuk kompensohet dot pjesa tjetër.
“Kush goditet nga taksat e naftës? Goditën ata që kanë vetura. Ata që kanë vetura kanë më shumë lekë se ata që s’kanë. Ne po subvencionojmë çmimin e biletës që të mos rritet çmimi. Goditen fermerët. Kjo është e vërtetë. Dhe prandaj kemi një fond që fermerët të marrin një sasi nafte që të mos kenë probleme”, u shpreh Rama.
Në fjalën e tij, Rama paralajmëroi për krizë energjitike gjatë muajve në vijim për shkak të mungesës së reshjeve. Ai tha se për këtë arsye do detyrohen të blejnë energji me çmime të larta.
Kreu i qeverisë tregoi se niveli i hidrocentraleve ka shkuar pranë nivelit teknik dhe do të duhet të ndërpritet prodhimi.
Top Channel