Buxheti i shteti po grumbullon më shumë para nga rritja e fortë e çmimeve.
Vetëm gjatë 2-mujorit të këtij viti ka arkëtuar 87.6 miliardë lekë të ardhura, rreth 714 milionë euro.
Në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, të ardhurat janë shtuar me më shumë se 145 milionë euro, duke tejkaluar edhe nivelet e parakrizës.
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, apo taksa e konsumit ka gjeneruar më shumë para në buxhet, kryesisht prej shtrenjtimit të karburanteve por edhe për të gjitha produktet e tjera që konsumojnë, duke bërë që konsumatorët të paguajnë më shumë ndaj shtetit.
Në periudhën janar-shkurt nga kjo taksë qeveria ka mbledhur 29.5 miliardë lekë të ardhura, rreth 64 milionë euro më shumë se kundrejt një viti më parë.
Luhatjet në tregjet globale kanë bërë që edhe doganat të mbledhin më shumë para nga mallrat e akcizës, me gati 7.5 miliardë lekë vetëm në janar-shkurt të këtij viti, rreth 7.2 milionë euro më shumë se krahasuar me 2-mujorin e vitit të kaluar ndikuar së tepërmi nga çmimi i naftës, pasi importet e mineraleve e lëndëve djegëse u zgjeruan ndjeshëm duke reflektuar më pas këtë ecuri pozitive në të ardhurat doganore.
Kontribut të shtuar në buxhet kanë dhënë edhe arkëtimet nga Tatimi për të Ardhurat Personale këtë periudhë duke arritur në 7 miliardë lekë në fund të shkurtit.
Ndryshe nga të ardhurat, shpenzimet buxhetore në kahun tjetër kanë parë një tkurrje në raport me 2-mujorin e vitit të shkuar në 68.8 miliardë lekë, në rënie të lehtë me rreth 300 milionë lekë më pak.
Në këtë situatë krize që ka përfshirë vendin, ky shtrenjtim çmimesh ka një fitues dhe shumë humbës. Nga një anë goditen qytetarët me kostot të shtuara të jetesës dhe pamundësi për të shpenzuar, nga ana tjetër një arkë shtetit që përfiton të rrisë të ardhurat edhe në muajt në vijim. Vetë qeveria në rishikimin e buxhetit me akt normativ ka planifikuar 10 miliardë lekë shtesë të ardhura në buxhet.
Top Channel