Certifikimi i zgjedhjeve të 6 marsit/ OSBE: Ka ende shumë punë për rritjen e integritetit të procesit zgjedhor

18/03/2022 19:21

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri përgëzoi procesin e zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit në vendin tonë, por me disa rezerva.

OSBE theksoi se ka ende shumë për të bërë në Shqipëri për rritjen integritetit të procesit zgjedhor.

Ajo shprehet se qëndron e gatshme të kontribuojë në reformën zgjedhore dhe se mbetet partnerja kryesore e KQZ-së në përpjekjet për zgjedhje më të mira.

“Një gur kilometrik i rëndësishëm për zgjedhjet në Shqipëri u arrit sot. Për herë të parë në historinë 30-vjeçare të proceseve zgjedhore pluraliste, rezultati i zgjedhjeve u certifikua pa asnjë kontestim. Prezenca e OSBE-së përgëzon administratën zgjedhore dhe partitë politike për këtë zhvillim domethënës, i cili vërteton edhe një herë profesionalizmin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ne kemi besim se ata do ta ruajnë këtë arritje të rëndësishme, pasi qytetarët shqiptarë meritojnë zgjedhje ku çdo votë respektohet. Sikurse tha Komisioneri Celibashi, ka ende shumë për të bërë për të rritur integritetin e procesit zgjedhor dhe për të garantuar standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve. OSBE-ja qëndron e gatshme të kontribuojë në reformën zgjedhore dhe mbetet partnerja kryesore e KQZ-së në përpjekjet për zgjedhje gjithnjë e më të mira”, sipas Prezencës së OSBE-së.

KQZ shpalli një ditë më parë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të pjesshme vendore të gjashtë marsit që u mbajtën në gjashtë bashki.

Partia Socialiste arrit të merrte pesë bashki nga gjashtë, ndërsa në Shkodër fitoi Bardh Spahia, pjesë e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” e Sali Berishës, LSI-së dhe PDK-së.

PD me në krye Lulzim Bashën jo vetëm nuk arriti të merrte asnjë bashki në këto zgjehdje, por u shpall forcë e tretë me më pak vota se koalicioni i Berishës.

Zgjedhjet e 6 marsit kishin një vlerë të madhe për elektoratin demokrat, ku pritej të tregohej mbështetja e demokratëve të cilët prej muajsh tashmë janë ndarë në dy fronte, ata që mbështesin Bashën dhe ata që mbështesin Berishën.

Zgjedhjet e 6 marsit sollën përçarje brenda PD-së, ku shumica e demokratëve kërkojnë dorëhqejen e  Bashës dhe mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të ri.

Fituesit e zgjedhjeve të 6 marsit në gjashtë bashki të vendit:

Vorë- Blerim Shera PS (8,431 vota)

Rrogozhinë- Edison Memolla PS (5,401 vota)

Lushnje- Eriselda Sefa PS (21,477 vota)

Dibër- Rrahim Spahiu PS (13,995 vota)

Durrës-  Emirjana Sako PS (38,991 vota)

Shkodër- Bardh Spahia, koalicioni ‘Shtëpia e Lirisë (19948 vota)

Top Channel